Sot u zhvillua një takim mes zyrtarëve të qeverisë dhe Ligës Profesioniste. Ka optimizëm se gjithçka do shkojë mirë, edhe pse akoma nuk ka asgjë konkrete.
Presidenti i Ligës, Edvin Libohova ka folur menjëherë pas takimit, ku është përpjekur të sqarojë shumë gjëra. Ai pohon se e hëna është vendimtare, ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë për rikthimin e futbollit.
”E rëndësishme është që u ulëm në tavolinë dhe folëm për kërkesat tona.Unë e kam thënë që e ndajmë problemin në dy pjesë: Nga 4 kërkesat që kemi, 3 janë më specifike dhe më të diskutueshme.
“Thembra e Akilit” është Ligji i Sponsorizimit.Ne kemi bërë një propozim, ndërkohë Ministria e Financave, së bashku me ekspertët po punon për të bërë një kundër-propozim tjetër dhe për një zgjidhje, diçka që nuk mund t’ia u them dot sot.
Është lënë takimi tjetër ditën e martë, për të diskutuar variantet dhe do të vazhdojnë deri sa të gjejmë zgjidhjen.
Me presidentët e klubeve unë do të kem një takim ditën e hënë, për t’i informuar dhe për të vendosur për bojkotin ose fillimin e garës. Qeveria sigurisht, ka thënë nëpërmjet deklaratave se gjithçka mund të diskutohet.
Prandaj, ne do bëjmë prapë takim ditën e martë, për të dalë në një qëndrim, i cili duhet të jetë brenda kuadrit ligjor dhe kërkesave tona. Në këtë takim kishte vetëm përfaqësim nga Liga, isha unë bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm” – pohon Libohova./newsport/