Krijimi i Ligës Profesioniste ishte një lajm i shumë pritur për futbollin shqiptar. Mirëpo edhe pse janë hedhur hapat e para, shumë gjëra janë ende të paqarta, ndonëse statuti i saj është krijuar. Ajo që ra në sy gjatë mbledhjes së ditës së sotme në FSHF, ishte fakti që veç përfaqësuesve të klubeve të Superligës, mungonin ata të Kategorisë së Parë.

Pikërisht për këtë arsye por dhe pikëpyetje të tjera, ka reaguar me një status në rrjetin e tij social legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta. Në një koment të tijin, Kushta ngre pikëpyetjen pse nuk ishin prezent klubet e Kategorisë së Parë, por edhe probleme të tjera që ka futbollit shqiptar sot.

“E lexova me kujdes që mori formë Liga Profesioniste. Ishin 10 ekipe elitare, po shumë ekipe elitare që janë në Kategorinë e Parë ku ishin? Po Ligji për Sportin a u votua në parlamentin shqiptar? Po kush ekip elitar, kur të gjitha ekipet pothuajse janë nën vartësinë e bashkive?

Pse ne vazhdojmë të hipnotizojmë veten tonë! Sot në ligën Superiore shumica e ekipeve kanë probleme ekonomike, ose me lojtarët ose me persona të dytë, të tretë, etj. bilancet si i kanë? Mos kjo ngjan asaj nismës së 2010, 2011? Nuk e di çfarë mendojnë kolegët!”-shkruan ndër të tjera Sokol Kushta./telesport/