Gilman Lika mendon se ndryshimi i trajnerit të Vllaznisë në këto momente, është një thikë me dy presa. Duke folur për “Sport Arena” në TV Rozafa, Lika u ndal te ky ndryshim i trajnerëve, teksa sipas tij Brdariç ka bërë një punë për t’u vlerësuar në Shkodër.

“Sigurisht që, të zhgënjyer, kemi dalë të gjitha nga ndeshjet e fundit me Tiranën, por të them të drejtën, unë personalisht, nuk e prita këtë lëvizje të trajnerit Brdariç, orët e fundit. Megjithatë, kjo në përgjithësi, është puna e trajnerit, por gjithsesi mua më vjen shumë keq.

Ju e dini që, personalisht, kam pasur një admirim, e kam vlerësuar gjithmonë punën që ka bërë Brdariç në Shkodër, por kjo është puna e trajnerit, që i pari, që rrezikon postin, është trajneri.

Edhe në shumë situata, ndoshta edhe kur nuk ka faj, i pari që merr atë koston e dështimit apo rezultateve jo të mira të momentit, është trajneri, kështu që ndiej vetëm keqardhje dhe më vjen shumë keq, si me thënë, që ai përfundoi këtu. Kisha dashur që minimumi trajneri Brdariç, ta përfundonte në fund të sezonit, pastaj të ishte bërë një analizë e thellë.

Shkarkimi i trajnerit Brdariç është një thikë me dy presa tani, sepse nuk i dihet, ndoshta merr mbarë ndërrimi i trajnerit, pra ekipi dhe gjithsecili lojtar, fut një marsh më tepër. Ka shumë raste që ndikon për mirë. Dikush që ka marrë më pak minuta, fut një marsh më tepër dhe jep më shumë në lojë, por është edhe pjesa tjetër, që nuk i dihet si merr me trajnerin e ri.

Plori aty ka qenë, e njeh ekipin, sepse pjesë e tij ka qenë, por është thikë me dy presa, për mendimin tim. Gjithsesi, rrimë me atë shpresën që të dalë e hajrit, kjo lëvizje”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, Gilman Lika.
Maringlen ZHIVANI