Vllaznia mori një goditje të rëndë në humbjen ndaj Tiranës, teksa ky rezultat bëri të shuante çdo ëndërr që mund të kishte ekipi shkodran për titullin kampion. Përveç kësaj, shkodranët nuk bindën as me lojë, teksa ditën e djeshme, klubi vendosi edhe shkarkimin e trajnerit Thomas Brdariç.

Në studion e “Sport Arena” të TV Rozafa, mbrëmjen e djeshme ka qenë sekretari i klubit të Vllaznisë, Blendi Dibra. Dibra foli jo vetëm për 90-minutëshin e djeshëm, por edhe për shumë tema të tjera, teksa preku edhe çështjen e shkarkimit të trajnerit gjerman.

“Vazhdimisht, te Vllaznia bëhen analiza, ka diskutime. Sigurisht, ai rezultat ndaj Tiranës krijoi një zhgënjim dhe që pas asaj ndeshje, ka pasur diskutime.

Pozicioni i trajnerit është pozicioni me valixhe në dorë, kështu që u quajt e arsyeshme që ekipit t’i japim një impuls ndryshe, për të korrigjuar ato të meta, të cilat konstatohen dhe me shpresën që të vazhdojmë t’i përmbahemi të paktën, objektivit minimal, siç është pjesëmarrja në Kupat e Europës.

Lamtumirë në sport nuk ka asnjëherë. Pra, në kuptimin që është një proçes dhe unë mendoj që sporti, nuk ka formula, kështu që prandaj duhet të ketë gjithmonë një rotacion kur rezultati nuk ecën dhe të shikohet një mënyrë tjetër, një qasje tjetër, që mbase krijon një motivim ndryshe. Shpresojmë të funksionojë.

Zgjidhja është gjetur brenda familjes, duke i dhënë besim një produkti shkodran, siç është trajneri Elvis Plori dhe shpresojmë që të ketë sukses kjo lëvizje, domethënë”,-tha gjatë prononcimit të tij, sekretari i klubit të futbollit Vllaznia, Blendi Dibra.
Maringlen ZHIVANI