Wednesday, June 10, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORELargimet e futbollistëve, Vllaznia me pak opsione në sulm

Largimet e futbollistëve, Vllaznia me pak opsione në sulm

Shkruar nga Endri ÇINARI

Teksa Vllaznia po përgatitet për sezonin 2026/27, një nga repartet që aktualisht paraqet më shumë mangësi në organikë është ai i sulmit. Kuqeblutë kanë humbur dy alternativa të rëndësishme në fazën ofensive, pasi si Bismark ashtu edhe Dodaj kanë përfunduar periudhën e huazimit në Shkodër dhe janë larguar nga skuadra, duke lënë boshllëqe të ndjeshme në repartin e avancuar.

Situata bëhet edhe më e vështirë për stafin teknik të drejtuar nga Martini për shkak të gjendjes së Lirim Kastratit. Sulmuesi vazhdon periudhën e rikuperimit pas dëmtimit të rëndë që pësoi dhe nuk pritet të jetë i gatshëm për të paktën edhe tre deri në katër muaj. Kjo do të thotë se Vllaznia do të duhet të përballojë fillimin e sezonit pa një tjetër element me peshë në repartin ofensiv.

Në këto kushte, aktualisht emri më i rëndësishëm në dispozicion të kuqebluve mbetet Bekim Balaj. Kapiteni dhe golashënuesi i skuadrës pritet të mbajë sërish barrën kryesore të sulmit, ndërsa alternativat e tjera janë të rinjtë Aris Ara dhe Gerald Kubazi, futbollistë me potencial, por që ende nuk mund të konsiderohen zgjidhje të plota për objektivat e një skuadre që synon të luftojë në të gjitha frontet.

Numrat dhe situata aktuale tregojnë qartë se organika në repartin e avancuar është larg asaj që kërkohet për një ekip me pretendimet e Vllaznisë. Për më tepër, shkodranët do të kenë një sezon të ngarkuar, ku përveç kampionatit do të jenë të angazhuar edhe në arenën europiane, çka e bën edhe më të domosdoshëm zgjerimin e alternativave në sulm.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit kuqeblu kanë vendosur si prioritet absolut afrimin e të paktën një ose dy futbollistëve ofensivë sa më shpejt të jetë e mundur. Bisedimet në merkato vijojnë në disa fronte dhe pritet që gjatë javëve në vazhdim të ketë zhvillime konkrete, pasi përforcimi i vijës së sulmit konsiderohet një nevojë emergjente për skuadrën në prag të nisjes së aventurës së re sezonale.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments