Ish- kapiteni i Vllaznisë Gilman Lika ashtu si shumëkush tjetër, ka mbetur i befasuar nga fitorja 5-3 e Vllaznisë në Laç dhe për më tepër nga loja e shkëlqyer e sulmuesit kroat Ante Aralica. Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Show” dhe duke folur në lidhje me startin e kampionatit të kuqebluve, është shprehur:
“Mendoj se të gjithë lojtarët dhanë maksimumin në ndeshjen ndaj Laçit, por unë dua të veçoj sulmuesin Aralica, i cili të them të drejtën më ka habitur me performancën e tij. E kam parë të luajë pak minuta në finalen e Superkupës ndaj Teutës dhe nuk është se më la ndonjë përshtypje pozitiv.
Ndërsa në ndeshjen ndaj Laçit absolutisht që ishte lojtari më i mirë në fushë. Bëri gol, dha asist, por përveç kësaj mbrojtësit kundërshtar e kishin shumë të vështirë për ta përballuar atë. Sidomos kur kishte hapësirë, ishte i pandalshëm.
Unë mendoj që në ndeshjet e tjera, sidomos në ato jashtë, nëse këtij lojtari do t’i lihet hapësirë do të jetë shumë deçiziv për Vllazninë dhe problematik për çdo ekip tjetër.
Me këtë ndeshje që Vllaznia zhvilloi në Laç, keni për ta parë se çdo ekip do t’i frikësohet asaj. Asnjëri nuk do ta sulmojë atë. Kanë për ta pritur në mesfushë dhe të shfrytëzojnë kundërsulmin.
Kjo gjë do ia vështirësojë punën ekipit dhe trajnerit, por e rëndësishme është që Vllaznia për momentin ka ritmin e duhur. Mbase ritmin më të mirë ndër të gjitha skuadrat e tjera dhe këtë duhet ta shfrytëzojë në maksimum”- eshte shprehur Lika./SHKODRA-SPORT.COM/