Marash Kumbulla ishte në dyshimë për të ardhmen e tij që në janar, kur klube nga mbarë Europa shfaqën pëlqimin ndaj mbrojtësit.

Në një periudhë të caktuar mbeti një garë vetëm italianë për të e më pas u duk se Kumbulla do të përfundonte te Interi ose Lacio, që i janë drejtuar Veronës me disa oferta dhe janë përballur me refuzime.

Megjithatë, ai nuk përfundoi në asnjërin prej këtyre klubeve sepse Roma ndërhyri në një mënyrë të rrufeshme dhe arriti në kohë rekord të bëjë atë, që s’e kishin bërë Interi e Lacio për muaj të tërë.

Kumbulla e Verona u bindën dhe 20-vjeçari tashmë është pjesë e kryeqytetasve. Në lidhje me këto tratativa është babai i Marashit, Lin Kumbulla, i cili për mediet italiane zbulon se Roma nuk kishte bërë asnjë propozim më parë.

“Ishte një negociatë shumë e shpejtë, duke marrë parasysh se më parë nuk kishim pasur kontakt me klubin e Romës. Kur dëgjuam për interesin nga Roma, ne të gjithë ishim shumë të lumtur, si Marashi dhe e gjithë familja jonë.

Ai gjithmonë ka qenë i magjepsur nga qyteti i Romës. Interesi i fortë dhe vullneti i klubit verdheblu e bëri zgjedhjen e tij shumë më të lehtë”, u shpreh babai i “fenomenit” nga Malësia e Madhe. /vipsport/