Ditën e sotme u shpall edhe lista e kombëtares u-20 nga ana e Alban Bushit. Kuqezinjtë do zhvillojnë dy ndeshje miqësore kundër Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një listë e dalë sot ku ka një ndërthurje të elementëve të kampionatit tonë dhe atyre jashtë vendit.

Bien në sy futbollistë të ftuar nga Greqia, Italia apo edhe madje nga Australia. Gjithashtu edhe shumë shkodranë kanë gjetur vend në listë. Këtu duke përmendur futbollistë që luajnë jashtë vendit si: Molla, Ndoj, Miraj apo edhe Gjini. E po ashtu Preka që luan tek Partizani. Nuk mungojnë as kuqeblutë si: Spahija, Smajli dhe Delaj.

Por një tjetër lojtar që ndoshta pritej me shumë mundësi të ishte pjesë e listës ishte edhe Rejan Alivoda. Mesfushori që luan tek Vllaznia ka spikatur në këtë fillim sezoni. Madje 19-vjeçari është aktivizuar në Uefa Conference League me kuqeblutë.

E ndërsa Alivoda ka marrë minutat e tij edhe në kampionatin e Superligës. Duke qenë kështu një nga lojtarët e rinj me më shumë minuta në kampionat. I vlerësuar shumë edhe nga ekspertët e futbollit në vendin tonë, për të gjithë bën çudi që Alivoda nuk ishte pjesë e listës për këto ndeshje të shtatorit.
Endri ÇINARI