Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë U-19, Ervin Bulku, publikoi ditën e sotme listën e futbollistëve që do të ketë në dispozicion për ndeshjet miqësore kundër Kosovës, që do të luhen në stadiumin “Kukës Arena” më 14 dhe 16-qershor. Në listën e publikuar nga Bulku shihet grumbullimi i futbollistit të Vllaznisë, Ersi Zaganjori, që realisht është një lojtar shumë premtues për të ardhmen.

Megjithatë, ajo që është deri diku “anormale” në këtë listë, është lënia jashtë e dy prej futbollistëve më të mirë shkodranë dhe të talentuar të Kombëtares U-19, që luajnë aktualisht me PAOK dhe me Milanin U-18. Kështu, bëhet fjalë për talentin e skuadrës së PAOK, Elton Fikaj dhe qendërmbrojtësin shkodran të Milanit U-18, Ervin Bashi.

Në fakt, që të dy me lojën e tyre në këtë edicion futbollistik të sapo mbyllur, janë vlerësuar nga të gjithë dhe konsiderohen dy nga talentet e së ardhmes, ku madje nuk kanë munguar edhe ofertat nga disa klube për të pasur në skuadrën e tyre këto dy talente. Megjithatë, pavarësisht lojërave të tyre të shkëlqyera dhe vlerësimeve të marra nga njerëzit e futbollit, për trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë U-19, Ervin Bulku, ata kanë mbetur jashtë planeve.

Një diçka që është deri diku “anormale”, duke marrë në konsideratë faktin se Elton Fikaj dhe Ervin Bashi janë dy ndër futbollistët më të mirë të Kombëtares U-19 prej kohësh dhe jo më kot luajnë për PAOK dhe Milanin U-18.
Maringlen ZHIVANI