Ardit Hoxhaj do të largohet nga Vllaznia gjatë kësaj merkatoje të verës. Burime të “Shkodra Sport” kanë konfirmuar se, sulmuesi anësor me origjinë nga Vlora do t’i japë fund aventurës së tij me kuqeblutë pas tre vitesh.

Trajneri Migen Memelli dhe drejtori sportiv Elvis Plori nuk e llogarisin më Hoxhajn si pjesë të rëndësishme në formacion për sezonin e ardhshëm. Si rrjedhojë, pas tre vitesh si kuqeblu, nuk do të rinovohet më me të.

Me pak fjalë, skuadra e Vllaznisë ka hequr vetë dorë nga Ardit Hoxhaj. Ndoshta, sezoni i fundit që ishte mjaft zhgënjyes për Hoxhajn, ishte vendimtar që ky futbollist të mos bënte më pjesë në planet e skuadrës shkodrane për sezonin e ri 2023-2024.

Interesimet për 28-vjeçarin nuk mungojnë dhe në vazhdim mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e tij. Kujtojmë se,sulmuesit anësor i ka përfunduar kontrata me Vllazninë dhe tashmë është një futbollist i lirë.

Poashtu, kujtojmë se, Ardit Hoxhaj me Vllazninë këtë sezon ka luajtur 36-ndeshje, ku ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë edhe një assist. Gjatë karrierës së tij, 28-vjeçari ka veshur fanellën e klubeve të Flamurtarit, Himarës, Bylisit, Skënderbeut, Korabit, Ferizajt dhe së fundmi të Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI