Siç ndodh zakonisht në fillim të çdo sezoni, në Itali janë bërë publike përfitimet financiare të futbollistëve në klubet përkatëse dhe është mësuar se sa përfiton secili për kontributin e tij në fushën e lojës në Serinë A.

Listat në fjalë përfshijnë edhe futbollistë të kombëtares shqiptare, pasi janë 5 të tillë të cilët militojnë në elitën e futbollit italian në këtë sezon. Më i paguari është pikërisht zbulimi i edicionit të kaluar, Marash Kumbulla, i cili me transferimin te Roma përfiton 1,8 milionë euro në vit. Një shifër e konsiderueshme, por jo te Roma, pasi ai është lojtari i 18 më i paguar në klub.

Po të 18-ët në listen e më të paguarve në klubet përkatëse janë edhe Elseid Hysaj e Thomas Strakosha. Mbrojtësi kuqezi përfiton 1,6 milionë euro te Napoli, ndërsa Strakosha 1,2 milionë euro te Lacio. Të dy presin rinovimet me klubet përkatëse e nga viti i ardhshëm, do të kenë përfitime më të mëdha ekonomike.

Duket e çuditshme por Berat Gjimshiti, edhe pse ka arritur suksese të jashtëzakonshme në vitin e kaluar, përifton shumë më pak se emrat e mësipërm. Te Atalanta ai paguhet vetëm 800 mijë euro në vit, duke qenë lojtari i 10 më i paguar në klub, pasi buxheti i bergamaskëve është më i limituar.

Më “varfanjaku” i futbollistëve të Kombëtares në Serinë A, por më i paguri në klubin e tij është Ardian Ismajli. Mbrojtësi përfiton 600 mijë euro në sezon te klubi italian, i cili e ka bërë futbollistin më të paguar kur vendoi të firmoset me të gjatë kësaj vere. /vipsport/

Marash Kumbulla (Roma) – 1,8 milionë euro, lojtari i 18 më i paguar në klub

Elseid Hysaj (Napoli) – 1,6 milionë euro, lojtari i 18 më i paguar në klub

Thomas Strakosha (Lacio) – 1,2 milionë euro, lojtari i 18 më i paguar në klub

Berat Gjimshiti (Atalanta) – 0,8 milionë euro, lojtari i 10 më i paguar në klub

Ardian Ismajli (Specia) – 0, 6 milionë euro, lojtari më i paguar në klub