Legjenda e futbollit shkodran dhe atij shqiptar Sabah Bizi eshte nderuar pasditen e sotme me titullin e larte “Nderi i Kombit”.

Nderimi i eshte bere nga vete Presidenti i Republikes, z. Ilir Meta gjate nje aktiviteti te zhvilluar ne ambjentet para Bashkise Shkoder.

Ne kete aktivitet kane marre pjese edhe shume figura te shquara te futbollit shkodran dhe atij shqiptar, te cilet nuk mund te mungonin ne nderimin e nje figure te tille.

Kuptohet qe momenti me domethenes ka qene ai i dorezimit te titullit te larte Sabah Bizit nga Presidenti Meta i cili e quajti ate “Bekembauerin shqiptar”.

“Nje nga legjendat dhe talentet më të mëdha të futbollit shqiptar, titullar i ‘Vllaznisë’, i ‘Partizanit’ dhe i Ekipeve tona Kombëtare, nga ata futbollistë, të cilët lindin shumë rrallë, që me punën, aftësinë e përkushtimin e Tij ka kontribuar në rezultatet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por dhe në rritjen e krenarisë dhe të imazhit tonë kombëtar.

Në treshen e artë të ‘Vllaznisë’: Bizi-Rragami-Zhega ai ishte gjithçka në formacionin e saj, por gjithashtu edhe në Kombëtaret tona.

Pa ngurrim mund të themi se Bizi është futbollisti më i gjithanshëm në historinë futbollit tonë.

Me mesfushorin ai solli tiparet moderne të këtij roli duke qenë njeriu që udhëhiqte gjithë skuadrën.

E kujtojmë Bizin për atë teknikë racionale, të milimetruar, për atë kilometrazh lëvizjeje në gjithë fushën si askush tjetër, për atë pasim të pagabueshëm, organizator e bllokues i njëkohshëm dhe golashënues i saktë përmes golave që nuk harrohen ende sot.

Për talentin e jashtëzakonshëm dhe kontributin e çmuar në arritjen e rezultateve të larta në futboll me Ekipin Kombëtar dhe ekipet “Vllaznia” e “Partizani”, si legjendë e fushës së blertë i përmasave europiane në historinë e futbollit tonë, personalitet i dashur e i respektuar, si dhe burim frymëzimi për të gjithë brezat e rinj, pata sot nderin dhe privilegjin ta vlerësoj Sabah Bizin, pikërisht në qytetin e tij, në Shkodrën tonë të dashur, me Titullin e lartë “Nderi i Kombit”- ka deklaruar presidenti Meta./SHKODRA-SPORT.COM/