Trajneri Sylvinho do të prezantojë listën e lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjen e parë zyrtare të kualifikueseve për kampionatin europian ndaj Polonisë, sfidë kjo që do të luhet në Varshavë në datën 27 mars. Supersport mëson disa prej emrave që do të bashkohen me Kombëtaren e Shqipërisë.

Anis Mehmeti dhe Jasir Asanin janë dy lojtarët që do të veshin për herë të parë fanellën kuqezi. Futbollisti i Bristol City ka bërë mjaft mirë në javët e fundit, duke tërhequr dhe vëmendjen e brazilianit i cili i ka dërguar për herë të parë ftesë për skuadrën e parë. Mehmeti numëron vetëm 2 ndeshje me skuadrën e 21-vjeçarëve në shtator të 2021.

Jasir Asani është surpriza e Sylvinhos. Sulmuesi i cili luan në Korenë e Jugut me Gwangiu, ka vendosur të lërë përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, ku është akttivizuar me 21 dhe 19-vjeçarët, për të qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.

Nga kampionati shqiptar, do të jetë pjesë e skuadrës Andi Hadroj. Futbollisti i Partizani ka bërë një sezion mjaft të mirë, duke arritur që të marrë një ftesë për ndeshjen e parë zyrtare. Hadroj u ftua dhe nga Edoardo Reja në ndeshjet miqësore me Katarin, Arabinë Saudite dhe Armeninë.

Në mungesë të Berat Gjimshitit të dëmtuar, Sylvinho ka ftuar Jon Mersinajn, 24-vjeçari ka luajtur këtë edicion në 19 ndeshje, me Lokomotivën e Zagrebit.