Altin Haxhi ndihet keq kur shikon se në një listë prej 20 lojtarësh që kanë kontribuuar për Kombëtaren në tri dekadat e fundit, emri i tij mungon. Ish-mbrojtësi i majtë nuk është shquar kurrë për polemika në 14 vite që ka qenë pjesë e kuqezinjve (1995- 2009), por këtë herë ai nuk e fsheh zhgënjimin. Edhe pse është një nga 10 lojtarët më të aktivizuar në historinë e Kombëtares, ka mbetur i habitur që është harruar nga organizatorët e miqësores së bamirësisë që do të zhvillohet nesër në “Air Albania”.

Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, gjirokastriti flet edhe për Kombëtaren, ndërsa zbulon edhe rolin e ri që ka marrë në klubin bullgar, CSKA Sofje.

Altin, prej vitesh i larguar nga Shqipëria. Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?

Që pas lënies së futbollit jam zhvendosur në Bullgari me familjen. Jetoj dhe punoj në Sofje prej gjashtë vitesh. Aktualisht jam i angazhuar te CSKA e Sofjes, ku aksioner kryesor është Grisha Gançev, presidenti që unë kam pasur kur luaja te Liteksi në fund të viteve ’90. Jam emëruar drejtor i ekipeve zinxhir në akademinë e CSKA-së. Bashkë me kolegun tim portugez, Gonzalez, si dhe ish-lojtarin bullgar, Stoiço Stoilov, jemi përgjegjës për gjithçka ndodh në akademi. Unë më tepër merrem me vëzhgimin e lojtarëve të rinj në vendet e Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë.

Ndihem mirë në Sofje dhe jam i kënaqur për vlerësimin që më ka bërë CSKA. Puna ime kryesore është të zbuloj sa më tepër talente, që ta ndihmoj vërtet klubin. Njëkohësisht jam i angazhuar në ambasadën shqiptare në Bullgari si diplomat i jashtëm.

Të premten zhvillohet në Tiranë një miqësore bamirësie, ku luajnë ish-lojtarë të njohur të Shqipërisë, Italisë, Turqisë dhe Greqisë. Ju nuk jeni në listë…

Nuk kam pasur asnjë kontakt, askush s’më ka ftuar. Kisha dëgjuar që do të bëhej një miqësore e tillë dhe mendoja se do të ftohesha, pasi do të vija me gjithë qejf për të qëndruar 2-3 ditë dhe të takoja miqtë e mi, duke i ndihmuar me mundësitë që kemi. Mirëpo, kur pashë emrat në listën që u publikua, realisht u habita. Askush nuk më telefonoi dhe më pas nuk u interesova për të marrë ndonjë shpjegim. Megjithatë, për kauzën që zhvillohet kjo miqësore, unë e kam dhënë ndihmën time.

Në çfarë forme?

Nga këtu ku jam në Bullgari kemi dërguar shumë ndihma pas tragjedisë prej tërmetit. I kemi nisur prej ditësh në Shqipëri, qoftë unë personalisht me klubin e CSKA-së, ashtu edhe me ambasadën përmes kryqit të kuq. Gjithsesi, nuk është çështja vetëm të japësh lekë, por edhe ndihmë morale e shpirtërore. Do doja të isha të premten.

Ndiheni i ofenduar apo thjesht i zhgënjyer për faktin që nuk ju ftuan?

Nuk mund të them se ndihem i ofenduar, por u çudita. Këtu nuk është puna nëse më thirrën mua ose jo, thjesht kisha dëshirë të merrja pjesë me zemër dhe shpirt për ata njerëz që janë tronditur pas asaj që ndodhi. Gjithsesi, unë jam krenar për ndihmën që kam dhënë. Më zhgënjen më tepër fakti që askush nuk është kujtuar, edhe pse dihet kontributi që kemi dhënë unë dhe të tjerë të brezit tim, të cilët nuk ishin në atë listë.

Cilat janë raportet tuaja me drejtuesit e FSHF-së?

Shumë të mira, nuk kam pasur asnjë problem. FSHF më ftoi kur u përurua stadiumi, u takova me miqtë e mi dhe u ndjeva krenar kur pashë atë stadium të mrekullueshëm, ku dikur kemi luajtur për fanellën kuqezi. Ishte diçka madhështore për vendin tonë.

Më pyetën edhe mediat bullgare një javë më parë dhe u thashë që këtë që ka bërë Shqipëria me stadiumin, askush nga vendet e rajonit nuk e ka bërë. Kënaqësia dhe emocionet ishin të mëdha, sepse u bëmë bashkë me lojtarët e brezit tim, që janë vërtet heronj. Për shumë vite me radhë, edhe pse jo në kushtet ideale, dhanë maksimumin e tyre. Pastaj kur lexova edhe intervistën e Rudi Vatës, u hidhërova vërtet shumë.

U hidhëruat për faktin që edhe atë nuk e kanë ftuar…

Po, natyrisht. Si mund të mos ftosh Rudi Vatën?!. Realisht më erdhi shumë keq. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Arian Xhumbën, Arian Bellain dhe Geri Çipin, që nuk i pashë në atë listë. Janë të gjithë futbollistë që kanë dhënë shumë për ekipin kombëtar. Nuk e di çfarë emri t’i vë kësaj harrese apo mungese vlerësimi.

Kreu i Sindikatës së futbollistëve, Andi Lila, pranoi që duke qenë të rinj në këto organizime, mund të kenë bërë edhe gabime…

Shiko, unë Lilën e vlerësoj edhe si njeri, edhe si futbollist. Nuk e di se çfarë ka ndodhur që të mungojnë kaq shumë emra…