HomeKRYESOREListat e këshilltarëve të ardhshëm të Bashkisë Shkodër/ PD 'harron' sportin, PS...

Listat e këshilltarëve të ardhshëm të Bashkisë Shkodër/ PD ‘harron’ sportin, PS e ka në vëmendje

Dita e djeshme ka qenë e fundit për dorëzimin e listave të partive politike dhe koalicioneve të tyre për këshilltarët bashkiakë në zgjedhjet 14 majit. Kuptohet që vëmendja ka qenë e madhe për personat që do të përzgjidheshin për të qenë pjesë e këtyre listave.

Natyrisht që edhe komuniteti i sportit ka qenë i interesuar për të mësuar nëse do të kishte pjestarë të tij në këto lista. Sepse kemi të bëjmë me këshilltarët e ardhshëm të Bashkisë Shkodër, të cilët me vendimet e tyre të mëtejshme në katër vitet e ardhshme do të kenë mundësi të vendosin ndër të tjera edhe për sportin, për buxhetin e tij dhe investimet që mund të bëhen.

Por nëse i hedhim një sy listës së koalicionit “Bashke Fitojmë”, konstaton që PD “e ka harruar” sportin dhe nuk i ka kushtuar aspak rëndësi. Ndër 52 emrat e kësaj liste, konstatojmë që janë vetëm dy emra që kanë lidhje me sportin. Bëhet fjalë për ish- atletin e Vllaznisë Ardit Rrashi i cili është i 37-ti në këtë listë si dhe për arbitrin e futbollit Ardit Çobaj që është i 45-ti.

Nëse i referohemi listës së dorëzuar nga Partia Socialiste, konstatojmë që ata të cilët e kanë hartuar atë, i kanë kushtuar shumë rëndësi sportit teksa pjesë e kësaj liste janë disa njerëz të tij, plot 6 nga 52 vetë që ka lista e dorëzuar. Duke filluar nga numri 1 i kësaj liste, një emër shumë i njohur, ish- kampioni dhe ish- rekordmeni i atletikës Oltion Luli.

Në listë, numri 7 i takon një tjetër njeriu që është pranë sportit, mësuesit të edukimit fizik Fatbardh Dama. Numri 9 në listë i përket Rudin Bekës, ish- futbollistit të Vllaznisë, tashmë pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Ndërkohë numri 13 i takon volejbollistit aktual të Vllaznisë Ardit Taflaj, numri 19 është një tjetër mësues i edukimit fizik Erald Erkoçaj. Më poshtë, numri 23 është për një tjetër volejbollist të Vllaznisë Nikolin Qafarenën.

Mjafton të shohim këto lista dhe konstatojmë që zëri i sportit në Këshillin e ardhshëm bashkiak të Shkodrës do të jetë shumë pak i përfaqësuar. Nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” me shumë siguri nuk do të kemi asnjë këshilltarë, ndërsa nga ai i Partisë Socialiste do të jenë por në numër të reduktuar. Nisur edhe thjesht nga kjo, duket se ditë edhe më të vështira për sportin shkodran po vijnë…

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments