Katër boksierë të rinj të Vllaznisë të shoqëruar nga trajnerët Zef Gjoni dhe Jetmir Kuçi kanë marrë pjesë fundjavën që shkoi në një aktivitet ndërkombëtar të zhvilluar në Kosovë i emërtuar “Epopeja e Dukagjinit”.

Ai është organizuar nga klubi i boksit “Peja” dhe ndeshjet janë zhvilluar në Palestren e Sporteve “Karagaq” të qytetit të Deçanit. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë boksierë nga Italia, Zvicra, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.

Paraqitja e boksierëve shkodranë ka qenë e mirë teksa dy prej tyre kanë zënë vende të para, ndërsa dy të tjerë në vend të dytë por mes shumë polemikash për arbitrimin i cili ka ndikuar dukshëm kundër shpalljes së tyre fitues.

Kështu boksieri Jurgen Lazri ka konkurruar në kategorinë e kadetëve në peshën 64 kg dhe ka arritur të triumfojë ndaj rivalit të tij Skender Malushaj të klubit të Pejës duke merituar vendin e parë në këtë peshë për këtë grupmoshë.

Po në vend të parë është renditur edhe boksieri Armando Grishaj. Ky i fundit vinte pas ndeshjes profesioniste të zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë dhe padyshim që kishte një formë të mirë sportive. Atë e tregoi edhe në ringun e Deçanit teksa është shpallur fitues në peshën 75 kg.

Boksieri tjetër shkodran pjesmarrës në këtë aktivitet Tonin Prela ka konkurruar në kategorinë e juniorëve në peshën 70 kg dhe është ndeshur me boksierin kosovar Lirikgzon Berisha ndaj të cilit është mundur me rezultatin 2-0, ndoëse ka patur pakënaqësi për arbitrimin.

Ndërkohë në kategorinë 85 kg të kadetëve, ka konkurruar edhe boksieri tjetër i Vllaznisë Igli Piraniqi i cili është me boksierin vendas nga Peja Arnis Dautaj. Dhe ndonëse ndeshja e Piraniqit ka qenë shumë e mirë, por në fund gjyqtaria i ka dhënë fitoren 2-0 kundërshtarit dhe kjo ka sjellë reagimin e stafit shkodran por vendimi nuk ka ndryshuar.
Gjergj KOLA