Në muzeun e Liverpool-it ka çdo trofe të mundshëm, madje edhe në sasi; midis ligave angleze, kupave kombëtare dhe atyre europiane. Mungon vetëm një: ajo që dikur quhej Kupa Ndërkontinentale, e cila tani është bërë Botërori i Klubeve.
Sot, kundër Flamengos, “Reds” e sfidojnë për herë të parë këtë trofe. Pesë herë në histori, klubi anglez e ka fituar të drejtën të luajë ndeshjen, që më parë vinte Europën kundër Amerikës së Jugut; tani është bërë diçka më shumë.
Megjithatë, kurrë nuk arriti ta fitojë atë, ose për shkak të humbjeve (tri herë, më 1981, 1984 dhe 2005), ose për shkak të heqjes dorë nga pjesëmarrja (më 1977), ose ngaqë ndeshja nuk u luajt (më 1978).
Këtë herë, Liverpool dëshiron ta fitojë atë, gjithashtu të hakmerret ndaj Flamengos, e cila e mundi 3-0 në vitin 1981, kur udhëhiqej nga Zico në fushë.
Nga ana tjetër, Flamengo udhëhiqet aktualisht nga Gabigol, i rilindur në Amerikën e Jugut, pasi nuk arriti të imponohej në Europë me Interin dhe Benfica. Ai do të drejtojë sulmin e skuadrës braziliane, me mbështetjen e De Arrascaeta, Bruno Henrique dhe Everton Ribeiro.
“Armë” plus janë: eksperti Rafinha (i cili e fitoi Botërorin e Klubeve me Bayern Munich në vitin 2013) dhe Filipe Luis. Liverpool rikuperon Virgil van Dijk në qendër të mbrojtjes. Përkrah tij Joe Gomez, me Alisson në portë. Anët e mbrojtjes angleze do të kenë Alexander-Arnold dhe Robertson.
Mesfusha me Chamberlain, Keita dhe Henderson, në mbështetje të “tridentit” Salah-Firmino-Mané. Kujtojmë se kjo finale do të startojë në orën 18:30, sipas orës europiane.
Ja formacionet e mundshme:
LIVERPOOL (4-3-3): Alisson; Alexander-Arnold, Van Dijk, Gomez, Robertson; Oxlade-Chamberlain, Henderson, N. Keita; Salah, Roberto Firmino, Mané
FLAMENGO (4-2-3-1): Diego Alves; Rafinha, Rodrigo Caio, Pablo Marí, Filipe Luís; Willian Arão, Gerson; Éverton Ribeiro, De Arrascaeta, Bruno Henrique; Gabigol