Pallati I sportit “Qazim Dervishi” është drejt përfundimit të rikonstruksionit dhe tashmë ka marrë një formë krejt tjetër. Parketi I tij ka përfunduar dhe po bëhet lyerja e fushës ndërkohë që kanë mbetur edhe pak gjëra për sistemimin përfundimtar të këtij impianti sportive si tek dhomat e zhveshjes ashtu edhe tek tribuna Vip dhe ajo e gazetarëve. Për të inspektuar punimet që po bëhen dhe për të dhëna këshillat e fundit për përmbylljen e investimit, ka qenë I pranishëm sot në Shkodër edhe sekretari I Federatës Shqiptare të Basketbollit Korab Llazani. Në një intervistë për gazetën shkodrasport.com, ai shprehet I kënaqur me punimet e bëra dhe angazhimin e të gjitha strukturave.

“Siç dihet ky rikonstruksion është një bashkërendim i punëve në mes Federatës Shqiptare të Basketbollit, Klubit Vllaznia dhe shoqatës së basketbollit në mënyrë që ky pallat sporti të plotësojë parametrat për pjesmarrjen në një aktivitet të rëndësishëm siç është Liga Ballkanike. Konstatoj me kënaqësi që ka një angazhim të madh të të gjitha strukturave, punimet kanë ecur mirë dhe kanë mbetur vetëm disa detaje të fundit për t’u mbyllur në mënyrë që ky impian sportiv të jetë gati për të pritur shumë ekipe të mira që marrin pjesë në këtë kompeticion të rëndësishëm”- ka thënë ai. Vllaznia do të marrë kësisoj pjesë në Ligën Ballkanike dhe tashmë gjithçka duket gati. I pyetur sesa do t’I vlejë kësaj skuadre pjesmarrja në këtë kompeticion të rëndësishëm, ish- basketbollisti I saj Llazani do të përgjigjej. “E rëndësishme është që Vllaznia të marrë pjesë fillimisht. Kuptohet jo krejtësisht si inferiore por ta thotë fjalën e saj ndaj ekipeve rivale sidomos në ndeshjet që do të luajë në Shkodër. Përpos kësaj, pjesmarrja në këtë Ligë do të jetë hapi i parë i rritjes së nivelit të basketbollit shqiptar. Të mos harrojmë se ekipet e tjera pjesmarrëse në Ligën Ballkanike kanë buxhete marramendëse krahasuar me Vllazninë që ka një buxhet modest por duke marrë pjesë, mund të vijnë sponsorë, do afrohen tifozët dhe janë shumë favore të tjera për rritjen e cilësisë së këtij sporti”- ka thënë ish- basketbollisti i njohur i kuqebluve. Ajo që vlen mbi të gjitha është se investimi I bërë në pallatin e sportit, nuk ka shkuar kot. “Qazim Dervishi” ka marrë një formë krejt tjetër dhe tashmë jo vetëm për sportistët, por edhe për sportdashësit do ketë kushte më komode për ndjekjen e ndeshjeve.
Gjergj KOLA