Dyshimi nëse është larguar apo jo Roberto Nava nga posti i presidentit të Vllaznisë, është konfirmuar ditën e sotme nga vetë pjestarë të Bashkisë Shkodër. Institucioni në fjalë në fakt nuk ka bërë asnjë koment zyrtar në lidhje me këtë çështje dhe duket se po pret datën 12 tetor të caktuar si afatin e fundit të bërjes së pagesës nga kompania “Gea Sport” në numrin e llogarisë së klubit shkodran dhe në rast se nuk bëhet sërish, atëherë automatikisht kontrata e bashkëpunimit me të, do bjerë poshtë.

Në fakt, edhe vetë Nava në median e shkruar ka raportuar largimin e tij nga drejtimi i Vllaznisë por nga ana tjetër ka bërë të ditur se do ta çojë klubin shkodran në gjyqin e Gjenevës për moszbatimin korrekt të kontratës së bashkëpunimit. Zviceriani me origjinë italiane ka kërkuar në fakt llogari për mënyrën e administrimit të 150 milionë lekëve të miratuara nga Këshilli Bashkiak Shkodër në mbledhjen e tij të korrikur por në fakt, juristi i Bashkisë Suel Hadri, në emër të kryebashkiakut Luka i është përgjigjur se nuk mund të kërkojë llogari për paratë e Bashkisë kur në fakt, ai nuk ka derdhur asnjë lekë për klubin Vllaznia. në rrethana të tilla, Nava ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere e po ashtu, dorëheqjen me shkrim ka dorëzuar edhe italiani tjetër anëtar i këtij Këshilli Luka Barberis. Ky këshill ka mbetur tashmë me tre anëtarë, Isuf Isufin, Agim Medjen dhe Flamur Hoxhën dhe në kushte normale, ai funksionon. Sot në fakt ka patur një takim të kryebashkiakut Luka me drejtuesit e klubit dhe i ka udhëzuar ata të vazhdojnë punën derisa gjërat të marrin një zgjidhje përfundimtare. E sigurtë është që Roberto Nava dhe “Gea Sport” janë larguar nga Vllaznia. tashmë pritet vetëm të sqarohet se kush do të hedhë në gjyq njëra- tjetrën, Bashkia Shkodër kompaninë “Gea Sport” apo e kundërta për moszbatim të kontratës.
© shkodrasport.com