Kundërshtari i parë zytar i Vllaznisë për sezonin 2022-23 do jetë ekipi i Univ.Craiova. Rumunët do jenë përballë shkodranëve në turin e parë kualifikues të ndeshjeve të Conference League. Një kundërshtar aspak komod dhe me një buxhet shumë herë më të madh se Vllaznia. “Shkodra Sport” ka bërë një hulumtim për ekipin kundërshtar dhe sjell për lexuesit disa fakte interesante.
Kështu vlera në merkato e gjithë futbollistëve që ka Craiova për momentin kap shifrën e 19.6 milionë eurove. Shifër thuajse 5-fish më e lartë se ajo e Vllaznisë, ku vlera e ekipit në total arrin në 4.45 milionë euro sipas Transfermarkt.com. Skuadra e Craiovës përmban 31 futbollistë, ku nga e gjithë roza d skuadrës janë vetëm 7 lojtarë të huaj. Dhe mosha mesatare e ekipit shkon në 25.8 vjeç.
Lojtari më i shtrenjtë është sulmuesi krahut të majtë, Andrei Ivan. Rumuni kap vlerën e 1.8 milionë eurove në merkaton e futbollistëve. Pas tij vjen kapiteni i ekipit, Nicusor Bancu. Mbrojtësi vlerësohet me shifrën e 1.7 milionë eurove. E mbyll treshen e futbollistëve më të shtrenjtë në merkato, sulmuesi Koljic që kap shifrën e 1.5 milionë eurove në merkaton e futbollistëve.
Shënuesit më të mirë të sezonit që u mbyll në kampionatin rumun për Craioven kanë qenë: Ivan me 11 gola, Markovic me 9 gola dhe Gustavo me 8 gola. Craiova e ka mbyllur sezonin në vendin e 3-të në kampionat ndërsa ka fituar edhe kupën e Rumanisë në sezonin 2021-22.
Në sezonin 2019-20 si pjesë e tyre kanë pasur edhe mesfushorin shqiptar, Kamer Qaka. Tashmë duhet të presim deri në gjysmën e korrikut për të parë nëse Vllaznia do e kalojë një kundërshtar kaq të fortë në letër, por patjetër që do jetë i fortë edhe në fushën e lojë.
Endri ÇINARI