U largua për më mirë drejt Maltës por futbollisti me origjinë nga Shkodra Ildi Gruda mund të rikthehet sërish të luajë në Superligën shqiptare. Sipas newsport.al, lojtari tashmë duket se ka shkëputur marrëdhëniet me klubin maltez. Një fakt i tillë ka bërë që disa klube të Superligës të shprehin interes për të.

Tre ekipe të Superiores kanë kërkuar informacione dhe detaje për futbollistin, që është edhe pjesë e kombëtares U-20 të Shqipërisë.
Ndërsa Vllaznia ende nuk ka lëvizuar në këtë drejtim. Klubi shkodran që e rriti dhe e afirmoi Gruden në akademinë e vet duket se po humbet një mundësi të artë.

Vetë kuqeblutë që duan të ndertojnë një ekip serioz për vitin që vjen, kanë mundësinë e artë të marrin një lojtar me parametra 0 dhe me shumë vlera. Gruda njihet mirë nga drejtuesit e futbollit në Shkodër pasi është shpallur kampion me moshat duke qenë edhe golashënuesi më i mirë.

Drejtuesit e Vllaznisë duhet të lëvizin shpejt për të afruar sa më shpejt një sulmues të tillë në gjirin e tyre. Kjo pasi duket se konkurrenca për lojtarin e kombëtares është shumë e madhe dhe tek Vllaznia duhet ta monitorojnë mirë situatën e një rasti të mirë që të ofron merkato.
© shkodrasport.com