Lorenco Vila do të transferohet në Çeki. Burime të besueshme pranë klubit të Teutës bëjnë me dije për Newsport.al që mesfushori i njohur do të vijojë aventurën e tij te Banik Ostrava. Prej ditësh, drejtuesit e durrsakëve po negociojnë me çekët për të gjetur gjuhën e përbashkët në aspektin financiar. Gjithçka duket në rrugën e duhur dhe në ditët e ardhshme pritet zyrtarizimi i largimit.

Vila është një nga futbollistët që ka shkëlqyer vitet e fundit në kampionatin shqiptar. Anësori i djathtë i fazës ofensive u shndërrua në pikë referimi për sulmin e Teutës duke vendosur disa herë fatet e ndeshjeve të “Djemve të Detit”. Performanca pozitive ka rënë edhe në sytë e të huajve dhe konkretisht të çekëve të Banik Ostravës.

Në sezonin e fundit, Vila u aktivizua në 35 ndeshje ku shënoi 9 gola dhe dha edhe 2 asiste. 24-vjeçari është prodhim i akademisë së Teutës dhe pritet me interes të shihet se sa do të përfitojë klubi durrsak nga kjo shitje. Transferimi i tij në Çeki është mundësi e artë për t’u promovuar dhe për të provuar, pse jo, edhe ndonjë kampionat më të fortë.

Banik Ostrava militon në elitën e kampionatit çek. Edicionin e fundit e mbylli në vendin e 12-të, ndërsa është pjesë e Ligës së Parë prej 6 vitesh. Sipas “Transfermarkt”, vlera e klubit është afro 11.45 milionë euro. Kujtojmë që pjesë e kësaj skuadre është edhe një tjetër ish i Superiores, qendërmbrojtësi Eneo Bitri. /Newsport/