Lorik Boshnjaku ishte një nga gjërat më të bukura të ndeshjes Vllaznia-Universitatea Kraiova 1-1. Mesfushori 26-vjeçar bëri debutimin me fanellën kuqeblu në ndeshjen e turit të dytë të Ligës së Konferencës dhe mbi supe kishte barrë të rëndë, pasi në rolin e një shkatërruesi, duhet të zëvendësonte një prej lojtarëve që e kishte blinduar këtë pozicion te Vllaznia prej shumë vitesh, pikërisht Ardit Krymin.

Mirëpo, futbollisti nga Prishtina jo vetëm që bëri një paraqitje fantastike, duke thyer aksione pa fund në mesfushë, por në të njëjtën kohë u duartrokit gjatë nga tifozët shkodranë. Cilësitë e Boshnjakut i njeh mirë trajneri Mirel Josa, i cili ka insistuar te drejtuesit shkodranë që ta bindin lojtarin të firmoste me Vllazninë. Josa e ka pasur mesfushorin edhe kur drejtonte Prishtinën, prandaj dhe bindja e tij ka qenë se Krymin mund ta zëvendësonte vetëm Boshnjaku. 

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, vetë lojtari rrëfeu gjithçka për këtë debutim me Vllazninë. Ai foli edhe për shanset që ka skuadra në ndeshjen e kthimit më 28 korrik, ndërsa zbuloi si erdhi në Shkodër dhe ofertat që ka pasur përpara se të bindej për firmën me kuqeblutë. Ëndrra e tij është që të fitojë titullin kampion me Vllazninë.

Lorik, mjaftuan 90 minuta me fanellën e Vllaznisë që ju të fitoni zemrat e tifozëve shkodranë. E mendonit këtë debutim?

Jam shumë i lumtur kur shikoj se tifozët dhe adhuruesit e Vllaznisë janë të kënaqur me lojën time dhe sigurisht të ekipit. Dhashë maksimumin tim për skuadrën në këtë ndeshje të parë dhe isha përgatitur mjaft mirë për të përballuar si duhet 90 minutat. Kam përjetuar emocione të bukura dhe kam një vlerësim maksimal për tifozët e Vllaznisë, të cilët ishin fantastikë në ndeshjen ndaj Kraiovës. Shpresoj të vazhdojnë të jenë kështu edhe në kampionat.

Ju keni punuar me trajnerin Mirel Josa edhe te Prishtina. Ishte kjo arsyeja që iu bashkuat Vllaznia?

Po, mund të them se profesor Josa ishte ndër arsyet kryesore që unë zgjodha Vllazninë. Kam punuar te Prishtina me trajnerin dhe raportet e mira që kam pasur me të që nga dita e parë janë njësoj edhe tani. Besoj që kështu do të mbesin deri në fund. Shpresoj të kemi sukses.

Barazuat në ndeshjen e parë me Universitatea Kraiovën. Mendoni se ishte rezultat i drejtë?

Mendoj që për nga mënyra se si u bë loja, të dyja skuadrat kishin shanse të fitonin ndeshjen. Megjithatë, në fund mund të them se barazimi ishte rezultati më i drejtë.

Si i shikoni shanset e kualifikimit për ndeshjen e kthimit në Rumani?

Tani pas këtij rezultati, ata janë favoritë, sepse do të luajnë në fushën e tyre. Unë mendoj se presioni do të jetë më i madh te rumunët për ta fituar ndeshjen. Ne kemi shanset tona për t’u kualifikuar.

Çfarë duhet të bëjë më mirë Vllaznia në ndryshim nga sfida e parë për të qenë ajo në turin tjetër?

Duhet të luajmë akoma më të bashkuar dhe të disiplinuar. Vetëm kështu mund ta fitojmë ndeshjen në Rumani.

Nga Prishtina te Vllaznia, cila është dëshira më e madhe që ka Boshnjaku për të realizuar pas këtij transferimi?

Dëshira ime me Vllazninë është të fitojmë titullin kampion. E meriton i gjithë qyteti i Shkodrës dhe tifozët tanë. Besoj se klubi do të bazohet te grupi aktual që ka për t’i arritur objektivat.

Pak ditë më parë trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, deklaroi për “Panorama Sport” se një prej pengjeve të merkatos ishit ju, pasi kërkonte t’ju kishte në ekip, por që zgjodhët Vllazninë…

Po, është e vërtetë, por kam pasur edhe 4-5 oferta të tjera. Gjithsesi, në fund besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur me Vllazninë. Shpresoj të jetë kështu.