Partizani u rikthye mbrëmë sërish tek rezultatet negative dhe shkak për këtë ishte Vllaznia. Të kuqtë u mundën në shifrat 1-0 në Shkodër, ku vendosi një gol i Liridon Latifit. Kjo në njëfarë mënyre duke ndarë edhe objektivat për secilën skuadër.

Ku tashmë kuptohet që për momentin Vllaznia është në garë për kampion ndërsa kryeqytetasit si objektiv kryesor do kenë zonën që të dërgon në Europë.

Por Partizani vijon ta këtë një tabu stadiumin “Loro Boriçi”. Prej 5 transfertave të fundit, ata kanë fituar vetëm 1 dhe kjo ka ndodhur para 2 vjetësh.

Më saktë me 19.10.2019, ku edhe në atë ndeshje protagonist për Vllazninë ishte Ardit Krymi që shënonte gol në humbjen 1-3. Që nga ajo periudhë , Shkodra ka qenë “e mallkuar” për 16 herë kampionët e vendit. Partizani ka pësuar 3 humbje dhe marrë 1 barazim në “Loro Boriçi” në ndeshjet e fundit.

Kjo statistikë konfirmon edhe rritjen e Vllaznisë në vitet e fundit, ku skuadra nuk lufton më për mbijetesë, por për objektiva madhorë.

Nga ana tjetër, Partizanit i lind si detyrë vetëm fitorja në ndeshjen e rradhës kundër Dinamos në rast se nuk duan të humbin akoma më shumë kontaktet me kreun e tabelës.

Endri ÇINARI