Të enjten në Astana të Kazakistanit do të luhet ndeshja e parë e turit të parë të “Uefa Youth League” në mes ekipit vendas FC Astana dhe Vllaznia U19.

Trajneri i kësaj të fundit në prononcimin e sotëm para mediave është shprehur: “Jemi përgatitur siç duhet për këto përballje. Në fakt kundërshtarin nuk e njohim fare.

Thjesht kemi parë në video një ndeshje të tij dhe kaq. Nuk kemi asnjë informacion më shumë përveçse kanë edhe disa lojtarë me ekipet kombëtare të moshave të këtij vendi.

Gjithsesi, Vllaznia do të mundohet të bëjë lojën e saj. Kuptohet që dëshira është e madhe për t’u kualifikuar, por në këto momente nuk mund të flasim me entuziasëm.

Të shohim ndeshjen e parë njëherë dhe më pas, do të vendosim edhe objektivin tonë. Megjithatë, pavarësisht nivelit që do të ketë ekipi i Astanës, ju siguroj se Vllaznia do të mundohet të arrijë objektivin për të kaluar në turin e dytë të këtij kompeticioni”.
© shkodrasport.com