Silvio Rodrigues Pereira Zhunior po kalon çdo parashikim. Askush në Shkodër nuk e kishte menduar që do të ishte braziliani ai që do të bënte diferencën me ngjyrat e Vllaznisë. Dhe statistikat janë më shumë se të kënaqshme, pasi ka shënuar 5 gola në 6 takime (kampionat e Kupë).

Një mesatare premtuese për një “bomber”. E katërta javë e Kategorisë së Parë dhe ishte sërish ai që u dha fitoren kuqebluve. Falë goditjes së tij me kokë, të besuarit e Hasan Likës morën fitore të çmuar në Lezhë.

Një trepikësh që konsolidon pozitat në krye dhe i konfirmon si pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në elitë. Sulmuesi është duke e bërë më së miri detyrën e tij, edhe pse thuhet që nuk është ende në formën optimale fizike.

Stafi teknik pret shumë më shumë prej tij, por sigurisht që fakti që kanë gjetur njeriungol u ka dhënë qetësi për të vijuar rrugëtimin drejt misionit “Superiore”.

“Vllaznia pati mundësi për të shënuar që në pjesën e parë, por fituam falë cilësive individuale të Silvios (Zhuniorit). Ai ende nuk është në formën e tij maksimale, por është një lojtar i rëndësishëm për ekipin”, kështu ka deklaruar trajneri pas ndeshjes së luajtur me Besëlidhjen.

Dhe kur thuhet që lojtari nuk është në maksimumin e tij, të shumtë janë kuriozët që presin ta shohin kur në të jetë në topformë.

Braziliani – Vetë braziliani shprehet i kënaqur me golat, ndërsa garanton se do të vijojë me të njëjtin ritëm. “Sigurisht që jam shumë i lumtur për nisjen e këtij sezoni. Të gjithë sulmuesit e duan këtë çmim. Do të kërkoj që të shënoj sa më shumë.

Ne jemi një ekip dhe të gjithë duam të fitojmë. Qëllimi ynë është i vetëm: ta rikthejmë Vllazninë në kategorinë më të lartë, pra në Superiore. Por unë uroj që së bashku me të, të arrij edhe qëllimet e mia. Unë do të bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të gjithë së bashku do të arrijmë atë që kërkon klubi. Një lojtar i vetëm nuk është asnjëherë shpëtim për ekipin. Gjithsesi, derisa puna ime është që të shënoj, do vazhdoj ta bëj”, u shpreh për gazetën braziliani i shkodranëve.