Luan Zmijani, ish-fu tbollisti kampion me Vllazninë, por edhe trajner disa herë kampion me ekipin U-19 të akademisë Vllaznia, i ka bërë një përmbledhje situatës te skuadra shkodrane.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Zmijani ka vlerësuar punën që është bërë te kuqeblutë, por edhe evidentoi edhe mungesën e një force në sulm. Ai beson se Vllaznia mund të marrë maksimumin. Për Luan Zmijanin pjesëmarrja në kompeticionet Europiane duket më se e arritshme për ekipin e drejtuar nga Tomas Brdariç.

Si e shikoni situatën tek ekipi i Vllaznisë në këto momente?

Situata në ekip më duket pozitive, kjo për vetë faktin se Vllaznia bëri një 90-minutësh të pëlqyeshëm ndaj Teutës. Ajo që mungoi në këtë sfidë ishte vetëm gol, ndonëse patën dy raste të pastra dhe një herë topi u ndal në shtyllë. Kjo është për të ardhur keq.

A po vuan Vllaznia, sidomos në këtë periudhë, mungesën e një sulmuesi tipik?

Pa diskutim që po e vuan. Për mua reparti i sulmit nuk po e justifikon veten. Kjo më në krye Dilaverin, sulmuesin kryesor të ekipit.

Kanë mbetur edhe pesë javë deri në fund, si i shikoni ato?

Për Vllazninë janë të gjitha finale. Duhen vlerësuar të gjitha dhe të merret maksimumi në çdo takim.

A ka shanse reale Vllaznia për të qenë kampione?

Sapo e thashë, në qoftë se i marrim maksimumin këtyre 5 ndeshjeve të mbetura, pa diskutim që Vllaznia del kampione. Skuadrat e tjera pa dyshim që do të bëjnë hapa falsë.

Mendoni se ekipi mund të rrezikojë që të mbetet edhe jashtë katërshes që të nxjerr në Europë?

Nuk e besoj, por nëse do të gabojmë edhe mund të ndodhë. Por, unë besoj shumë te djemtë, pasi loja e tyre ka patur rritje dhe mendoj që s’do të diskutohet pjesëmarrja në Europë.

Sipas jush, a janë shanset më të mëdha që Vllaznia ta fitojë Kupën e Shqipërisë dhe Europën ta sigurojë edhe nga ky kompeticion?

Duhet pasur shumë kujdes sepse kundërshtari, Skënderbeu, ka pasur rritje në lojërat e tij. Por, nuk mendoj se lojtarët e Vllaznisë do ta humbasin këtë shans që kanë në duar. Jam i bindur se do ta fitojmë Kupën, sukses, i cili të siguron edhe një biletë për në Europë.

Jeni trajner i Vllaznia U-19, ku me ekipin triumfuat në grup. A do t’i paraprijë ky sukses marrjes së trofeut final?

Jemi në fazën finale të kampionati dhe po ashtu të Kupës. Duhet të përqendrohemi në maksimum, sepse është puna dhe mundi i gjithë sezonit në këtë muaj.

Akademia “Vllaznia” gjithnjë ka qenë në krye, por kësaj here edhe ekipi i parë ka pasur rritje. A ka elementë nga akademia dhe ekipi që ju drejtoni për të qenë pjesë e Vllaznisë së madhe në sezonin e ri?

Është viti i parë që jemi në këto pozita dhe uroj që të përsëritet çdo sezon, dhe pse jo të jemi fitues si me U-19 dhe Vllazninë e madhe. Tek U-19 janë disa lojtarë që po vëzhgohen me interesim të madh dhe mendoj që do të jenë shumë shpejt pjesë e skuadrës së parë.