Fiorin Durmishaj nuk do të mund të debutojë me përfaqësuesen greke në ndeshjet e muajit mars dhe do t’i duhet të presë të paktën deri në qershor për t’u cilësuar zyrtarisht pjesë e asaj përfaqësueseje.

Sulmuesi i cili në të kaluarën ka veshur fanellën kuqezi të Shpresave, ka vendosur t’i bashkohet Greqisë, por nuk do ta ketë të thjeshtë të shkëputet nga Shqipëria, edhe për faktin se FSHF pritet të bëjë rezistencë në plotësimin e dokumentacionit me çështjen që do të zgjidhet në FIFA.

Sipas mediave greke, përfaqësuesit e lojtarit kanë qenë të martën të pranishëm në Federatën Greke duke u marrë me çështjet burokratike për të plotësuar sa më parë dokumentet që nevojiten në mënyrë që Durmishaj të ftohet që në ndeshjet e marsit.

Por këtu ka një ngërç të madh të cilin FSHF do ta shfrytëzojë për të bllokuar regjistrimin e si rrjedhojë debutimin e lojtarit me Greqinë në ndeshje zyrtare.

Sipas rregullave pala greke duhet të depozitojë një kërkesë në FSHF për kalimin e lojtarit, bashkë me një shkresë tjetër ku lojtari konfirmon dëshirën e tij për të përfaqësuar Greqinë. Kjo procedurë burokratike pritet të kryhet në dy ditët në vijim.

Nëse FSHF do të ishte bashkëpunuese, do të kthente përgjigje te pala greke se nuk do të kishte më ndër mend që të thërriste lojtarin, duke bërë aplikimin në FIFA për ndërrimin e Federatës shumë më të thjeshtë dhe më të shpejtë, praktikisht çështje që zgjidhet në pak ditë.

Por VIP Sport ka mësuar se në institucionin që drejton futbollin në vendin tonë as nuk kanë ndër mend të jenë bashkëpunues, siç ka ndodhur edhe me raste lojtarësh të tjerë si Loret Sadiku apo Mërgim Brahimi.

Refuzimi i dorëzimit të shkresës së mosthirrjes do të thotë që çështja duhet të shkojë para një komisioni të FIFA-s dhe shqyrtimi i saj zakonisht zgjat mmi një muaj. Kjo do të lërë në pritje lojtarin duke i hequr mundësinë që të luajë që në mars me Greqinë.

Kuptohet, kjo është një hakmarrje e vogël ndaj Durmishajt dhe gjestit të tij, por edhe një rreze e fundit shprese se mos lojtari ndërron mendje deri në qershor dhe vendos të mbetet pjesë e Shqipërisë, edhe pse vetë brenda FSHF-së, tashmë këtë e cilësojnë si diçka të pamundur. /vipsport/