Luftëtari në kolaps total! Mund të duket e çuditshme, por skuadra që prej tre vitesh ka dhuruar spektakël në kampionatin shqiptar rrezikon shpërbërjen prej krizës financiare që po përjeton.

Klubi nuk ka më lekë as për udhëtime, por situata ka degjeneruar aq shumë, saqë lojtarëve u është vendosur ultimatum nga restoranti ku ushqehen dhe pronarët e shtëpive me qira ku banojnë në Gjirokastër. Aksionerët e klubit të Luftëtarit, Grigor dhe Vangjel Tavo (vëllezër), Bekim Halilaj (75 për qind aksione të tre së bashku) dhe Bashkia e Gjirokastrës (25 për qind aksione), duket se e kanë braktisur ekipin bluzi.

Gazeta “Panorama Sport” ka zbuluar dje një dokument ekskluziv, ku përmbajtja është vërtet tronditëse. Shkresa e firmosur dhe vulosur nga drejtori sportiv, Rigels Malile, me numër protokolli 3685 dhe datë 03.12.2018, tregon se ku është katandisur klubi që jo më larg se një vit më parë përfitoi nga shitja e Dejvi Bregut dhe Kristal Abazajt rreth 300 mijë euro.

Për të mos folur për arkëtimet nga UEFA dhe FSHF, qoftë për pjesëmarrjen në Ligën e Europës apo të drejtën televizive. Lojtarë që nga gushti deri në dhjetor kanë marrë jo më shumë se dy rroga, kërcënime nga pesë prej tyre për ndërprerje kontrate dhe gjyq me klubin në FSHF, detyrime ndaj palëve të treta dhe deri në rrezikim për heqje të pikëve, nëse disa pagesa nuk shlyhen në kohë.

Por, në këtë moment bëhet fjalë për ekzistencë dhe kjo është vërtet dëshpëruese kur shikon se çfarë shkrese u dërgon aksionerëve të klubit drejtori sportiv.