Tirana-Dinamo është ndeshja më e shumë pritur në ditën e sotme, ku vetë historia e këtyre skuadrave flet. Megjithatë pozitat nuk janë të barabarta me vendasit që janë afër titullit kampion, ndërsa dinamovitët luajnë për mbijetesë.

Le të shohim statistikat e këtyre ekipeve

Golashënuesit

Taulant Seferi është lojtari, që jo vetëm ka shënuar më shumë gola në kampionat, por është edhe ai që ka gjuajtur më shumë herë në portë.

Mund të duket diçka pazakontë, por në radhët e Dinamos është Agim Ibraimi, i cili ka goditur portën 56 herë këtë sezon kundrejt 66 goditjeve të golashënuesit më të mirë të kampionatit e që renditet i treti në këtë klasifikim specifik.

Po Ibraimi është i pari ndër lojtarët që kanë gjuajtur më shumë herë drejt portës nga jashtë zone (43 herë).

Befasia në radhët e Dinamos e përfaqëson Deinison Silva, i cili pavarësisht paraqitjeve të pakta në kampionat, është i dhjeti për gjuajtje në portë çdo 90 minuta (2.28), një shifër interesante nëse kemi parasysh pozicionin e Dinamos në renditje.

Goditjet në portë çdo 90 minuta

Në renditjen specifike të goditjeve në portë çdo 90 minuta, në vendin të parë gjejmë Xhixhën nga Tirana (3.04), të dytin Aralicën nga Vllaznia dhe të tretin Seferin nga Tirana.

Gjithashtu, Denison Silva dos Santos është ndër pesë lojtarët më të mirë në kampionat që tentojnë dhe fitojnë më shumë driblime me 67% të driblimeve të suksesshme, saktësisht po aq sa Siljanovski, po ashtu nga Dinamo.

Mbrojtja

Në aspektin e mbrojtjes, Sofranac i Dinamos është një nga lojtarët më të mirë të kampionatit për duelet ajrore të fituara, duke qenë i saktë me ndërhyrjet e tij me dy në çdo tre duele të fituara.

Nga ana tjetër, Erjon Hoxhallari është i dyti në renditjen e dueleve ajrore në zonën e tij të penalltisë, pas Krasniqit të Kastriotit.

Faullet e pësuar

Renditja e faulleve të pësuar është gjithashtu interesante: shumë analistë e konsiderojnë atë një shifër të rëndësishme, sepse një lojtar që pëson shumë faulle konsiderohet gjithmonë një kërcënim për kundërshtarët e tij.

Totre i Tiranës është i dyti në klasifikimin e përgjithshëm në kampionat për faullet e pësuara (62) pas Shehut të Laçit dhe i treti është Hoxhallari (48), ndërsa Patrik Bardhi i Dinamos është i treti për faullet e pësuara për 90 minuta (2.84).

Dhe duke qëndruar te çështja e faulleve, mes lojtarëve që kanë bërë më shumë faulle këtë sezon (Tirana është skuadra që ka bërë më shumë faulle se të gjitha këtë sezon) janë Ardit Toli dhe Taulant Seferi i Tiranës (përkatësisht 60 dhe 52) dhe Lancinet Sidibe i Dinamos ( 48).

Mes tyre është vetëm Zhan Viktor i Skënderbeut i cili ka shkaktuar 57 faulle.