Opinion nga SHKODRA SPORT
Sot FSHF zbriti në Shkodër me presidentin e saj Armando Duka dhe njërin nga njerëzit kryesorë të arbitrimit në këtë institucion- Sokol Jarecin, për të bërë prezantimin e “Akademisë së Arbitrimit”, risisë më të fundit të saj.
E ajo që çuditi të gjithë në fakt, ka qenë një debat i panevojshëm i lindur në mes dy emrave shumë të njohur të kësaj fushe në Shkodër dhe më gjerë. Njëri, duke folur para auditorit, në fakt kishte si prioritet të fjalës së tij, nxjerrjen e vlerave të këtij qyteti në këtë fushë e për këtë arsye, përmendi edhe historinë e arbitrimit duke ofruar para të pranishmëve edhe shumë emra. Përmendi atë të Luigj Shalës që sipas dokumentave historikë, e konsideron “të parin arbitër shqiptar me stemën e FIFA-s”. Pikërisht, ky emër dhe kjo e dhënë historike, nuk i ka pëlqyer një personazhi tjetër të njohur. Ai është ngritur nga vendi dhe menjëherë ka përmendur emrin e Qazim Dervishit si i pari arbitër ndërkombëtar shqiptar ngaqë ka arbitruar në Kampionatin Ballkanik të vitit 1946. Debati 2-3 minutësh kuptohet që nuk la një shije të mirë. Dikush duatrokiti, të tjerë ngritën supet dhe në fakt kjo gjë nuk ishte në protokollin e këtij eventi. Realisht si e pashë unë këtë debat? Ai në fakt mund të ketë kohë që ka nisur por sot “shpërtheu” dhe në një ambjent aspak të përshtatshëm (themi kështu se drejtuesit e FSHF kishin ardhur “për t’i mbushur mendjen” studentëve për t’u bërë arbitra dhe natyrisht që ata do të kenë kuptuar se edhe në këtë fushë paska debate e përplasje). Ne, personalisht në këto momente nuk na intereson shumë historia. Ne jemi me të dy emrat e mësipërm dhe shumë të nderuar. Jemi me Luigj Shalën që mund të ketë marrë stemën e FIFA-s i pari por pa arritur të arbitrojë asnjë ndeshje ndërkombëtare. Jemi edhe me Qazim Dervishin që ka dhënë kontributin e tij në këtë fushë dhe kjo nuk mund të mohohet. Por mbi të gjitha, ne jemi me… të ardhmen. Ajo që nuk morëm përgjigje as sot nga ai takim është pse nuk kemi në vitin 2017 një Luigj Shalë me stemë të FIFA-s sërish dhe një Qazim Dervish tjetër që arbitron një ndeshje ndërkombëtare? Për fat të keq, nuk kemi një të dytë si ata që arbitrojnë edhe qoftë një ndeshje kombëtare të Superligës. Kjo është absurde. Arbitrat aktualë të kolegjiumit të Shkodrës kanë pakënaqësi (sot në fakt nuk i shprehën) për njerëzit e Federatës që merren me caktimin e tyre. Ata kanë mbi një vit që kanë krijuar në këtë qytet atë Akademi që sot po trumbetohet me të madhe nga FSHF. E për këto arsye, ata sërish janë në hije. Vërtetë mbështetësit e Luigj Shalës dhe të Qazim Dervishit mund të jenë në garë për të thënë se kush është ndërkombëtari i parë, por kjo i takon historisë. Mua më intereson e ardhmja. Dhe për fat të keq, nuk po shoh asnjë sinjal pozitiv. Vijnë arbitra për të arbitruar nga Malta e Luksemburgu dhe Shkodra nuk ka asnjë arbitër në Superligë. Ky qytet që ka qenë në pararojë për gjithçka. Presidenti Duka kërkoi më shumë punë dhe nëse është vërtetë kështu që arbitrat shkodranë nuk kanë qenë të përgatitur, na mbetet t’i presim ata të përgatiten. Deri sa të ndodhë kjo, mbase duhet t’i rikthehemi sërish debateve për ndërkombëtarin e parë, por kjo në fakt nuk është aq shumë e rëndësishme