Pavarësisht se në pamje të parë ndeshja e nesërme ndaj Korabit konsiderohet e lehtë ngaqë ky kundërshtar tashmë zytarisht i ka dhënë lamtumirën Superligës, në kampin shkodran nuk mendojnë kështu. Drejtuesit dhe futbollistët e Vllaznisë po i bëjnë një vlerësim maksimal këtij takimi. Këtë gjë kanë deklaruar në konferencën e sotme për shtyp edhe dy prej futbollistëve të saj, mbrojtësi Erdenis Gurishta dhe sulmuesi Rubin Hebaj. I pari që ka folur ka qenë mbrojtësi i djathtë, i cili në lidhje me takimin e nesërm është shprehur: “Do të ishte një gabim shumë i madh nëse do të nënvlerësohej kjo sfidë. Ajo po aq e rëndësishme sa gjithë të tjerat dhe prandaj objektivi jonë i vetëm do të jetë fitorja dhe marrja e tre pikëve. Ne kemi objektivat tona për vendin e katërt dhe lufta për sigurimin e tij besoj se do të jetë e hapur deri në fund por besoj se në fund,do të jemi ne që do t’i gëzohemi këtij vendi dhe pse jo pastaj edhe sigurimit të një vendi për në Kupat e Europës. Në skuadër ka harmoni, po gëzojmë një formë të mirë dhe për këtë arsye do të tentojmë ta ruajmë atë deri në fund të kampionatit, shoqëruar edhe me arritjen e objektivit tonë. Në aspektin personal po mundohem të jap më të mirën time sa herë që më jepet mundësia dhe për këtë, do të punoj fort edhe në të ardhmen për ta bindur trajnerin për formën time”. Edhe sulmuesi Hebaj është i përqendruar maksimalisht për takimin e nesërm të cilin pritet ta nisë sërish si titullar. Ai vetë e pret këtë gjë megjithatë duket se Cungu e ka projektuar në fushë bashkë me Bakajn e Shtubinën në manovrën sulmuese. “Kjo do jetë në dorën e trajnerit nëse do të luaj apo jo megjithëse nga sa është parë në stërvitje mund të jem në fushë. Të luash përkrah Bakajt e Shtubinës, dy lojtarë me shumë përvojë, edhe për mua është diçka shumë pozitive. Problemi i Vllaznisë nesër do të jetë vetëm shënimi i golit të parë sa më shpejt sepse më pas besoj se nuk do të ketë asnjë problem për sigurimin e fitores e cila do të na vlejë për rikthimin në vendin e katërt në renditje dhe mbajtjen e tij deri në fund të kampionatit”- është shprehur 18 vjeçari Hebaj që ka shënuar katër gola në kampionat me Vllazninë.

© shkodrasport.com