Skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj është shpallur sot kampione e Shqipërisë për sezonin sportiv 2016-2017, për herë të parë në historinë e saj. Ekipi që drejtohet nga trajneri Mark Kroqi mposhti sot Studenti me rezultatin 3-1, në finalen e tretë të play off-it të luajtur në “Asllan Rusi”, duke fituar 3-0 me ndeshje. Një triumf i merituar i skuadrës shkodrane, që edhe pse u kualifikua në gjysmëfinalet e play off-it në javën e fundit, arriti të bëjë një paraqitje të shkëlqyer në dy javët e fundit, duke eliminuar fillimisht Partizanin kryesues dhe mposhtur në finale Studentin kampion në fuqi.

Ky grup djemsh bënë realitet ëndrrën e brezave të tërë të volejbollit shkodran, duke ngritur lart trofeun më të rëndësishëm të sezonit. Një tjetër ndeshje dramatike dhe emocionuese mes dy skuadrave më të mira të volejbollit shqiptar, që dhuruan një përballje të fortë deri në pikën e fundit. Por Vllaznia ishte më e karikuar dhe e kërkoi me më shumë ngulm fitoren, duke e merituar atë, ndërsa Studenti, që këtë vit nuk kishte humbur asnjë ndeshje deri në gjysmëfinale, gaboi atëherë kur nuk duhej. Pas finales ceremonia dhe një festë e madhe për shkodranët, që festojnë një titull që e kishin ëndërruar prej dekadash, duke ngritur lart kupën.Seti i parë është mjaft dramatik, të dyja skuadrat duelojnë fort, ku herë udhëheq Studenti e herë Vllaznia. Pikët finale janë mjaft të bukura, por gjithçka vendoset në shtesë, aty ku Studenti është më i saktë dhe fiton 28-26. Seti i dytë ishte me dy pamje, i Studentit në pikët e para, që dominon dhe shkëputet 15-10. Kur dukej se kryeqytetasit po fitonin setin, vijnë 11 pikë radhazi të Vllaznisë, që përmbys shifrat në 15-19 dhe fiton setin e dytë 25-20. Rivaliteti kthehet në setin e tretë, me kryeqytetasit që tentojnë të fitojnë, por gabojnë në fund dhe humbasin 25-23, pamje që paraqitet edhe në setin e katërt. Përpjekjet e Studentit janë të forcën e duhur, ndërsa Vllaznia shkëputet pas pikës së 16-të dhe fiton 25-22 dhe krejt takimin 3-1, duke nisur një festë legjitime. Një sukses ky i merituar i kapiteni Ditmir Rrashketa e me rradhë Nikolin Qafarenës, Renato Kolës, Anton Qafarenës, Vladan Xhorxheviç, Gledis Lloshit, Fatjon Çekinit, Marjan Gjoklaj, Atrit Milotit, Endri Juknit, Ardit Taflajt, Tuad Drinazit, Kristian Kolës dhe Klaudio Prekës nën drejtimin e trajnerit Mark Kroqi dhe e ndihmësve të tij Fatjon Ademi dhe Ermal Kraja, pa lënë mënjanë edhe kontributin e mjekut të këtij ekipi Arben Mlloja.
© shkodrasport.com