“Ata nuk mund të luajnë më bashkë”. Toni Krosi e kapërceu me një buzëqeshje kur sezonin e kaluar iu përgjigj një refreni, i cili shfaqet sa herë që Reali i Madridit bën një paraqitje jobindëse. “Është diçka që thuhet shumë herë, por…” Pa buzëqeshje dhe fytyrë serioze, Luka Modriç nuk e fshehu, në “Anfield”, pas një ndeshjeje kundër Liverpulit, se kjo teori e mërzit: “Më shqetëson, sepse duket se unë dhe Toni tani nuk mund të luajmë bashkë”.

Realiteti është se për trajnerin e tyre, Karlo Ançeloti nuk ka një debat të tillë. “Ata janë të paprekshëm”, tha italiani në sezonin e kaluar. Dhe pakkush dyshon se, duke qenë mirë, ata do të vazhdojnë të jenë edhe në sezonin e ardhshëm timoni i lojës së Realit. Çifti Modriç-Kros është një trashëgimi në historinë e Realit të Madridit. Shoqëria e tyre, tashmë legjendare, me 308 ndeshje zyrtare së bashku në Madrid, lindi në Kardif, në Superkupën e Europës në fitoren 2- 0 kundër Seviljes.

Më 25 gusht 2014, në javën e parë në La Liga, bashkëpunimi i tyre nisi edhe në Spanjë, gjithashtu me një fitore 2-0 kundër Kordobës. Ajo ndeshje kundër Kordobës me Gil Manzanon si gjyqtar është pikënisja e vërtetë për çiftin e mesfushorëve më të suksesshëm në Europë që kur u bashkuan. Tani ata fillojnë atë që do të jetë sezoni i tyre i dhjetë së bashku. Në këtë rrugëtim, në të cilën shfaqen katër tituj kampionë në Europë (Champions) dhe gjithsej 20 tituj së bashku, gjermani dhe kroati kanë qenë shoqërues të përbashkët të udhëtimit, edhe me Kasemiron, që vitin e kaluar u largua për te Junajtid në Premier.

Sot ata janë të rrethuar nga të rinj, nga fëmijë që do të jenë pranë dy lojtarëve që kanë qenë modeli i tyre.

PIRRI DHE ZOKO – Për të gjetur një dyshe mesfushorësh në Madrid të ngjashëm me atë Kros dhe Modriç, duhet të kthehemi shumë vite pas. Para tyre historinë e kanë shkruar Pirri dhe Zoko. Gjatë verës së vitit 1964, Pirri filloi të luante me ekipin e parë të Realit të Madridit, por thuajse gjithmonë si zëvendësues. Kjo ndryshoi më 4 nëntor 1964, kur Madridi mundi Barcelonën 4-1 në “Bernabéu” me Pirrin dhe Zokon në formacionin titullar.

Një javë më vonë, paraqitja e tyre e dytë së bashku ishte në një fitore 0-1 në “Metropolitano” në derbin kundër Atletikos. Ishte fillimi i një formule fituese për mesfushën e Madridit të ndërtuar nga Migel Munjoz, një dyshe që do të kërcente së bashku për 10 sezone.

Trashëgimia e madhe e çiftit Zoko-Pirri ishte Championsi në vitin 1966. Por ajo qëndron larg trashëgimisë që pritet të lënë Kros dhe Modriç, që do të largohen në fund të sezonit. Deri atëherë në Madrid do të argëtohen me dyshen Luka-Toni. Dhe për një palë e tretë që beson verbërisht në ta, Karlo (Ançeloti).