Orges Shehi i Tiranës dhe Diego Longo i Kukësit janë të vetmit trajnerë që i kanë shpëtuar deri më tani “furtunës” së largimeve nga klubet e Kategorisë Superiore.

Ky sezon konfirmoi edhe një herë tjetër se drejtuesit e ekipeve elitare në Shqipëri janë shumë pak të durueshëm. Duke mos pasur një projekt të qartë, shpesh merren vendime që jo vetëm prishin ekuilibrat, por mbi të gjitha dëmtojnë edhe vetë investimet që presidentët kanë bërë për objektiva madhorë, por jo vetëm.

Të pakta janë ato skuadra të Superiores këtë sezon që ndryshimi i trajnerëve u ka shkuar më së miri. Përjashto Kastriotin dhe Egnatian që luftojnë për mbijetesë, në të gjitha skuadrat e tjera situata ka qenë problematike, teksa ndryshimet në pankinë nuk kanë zgjidhur gjë.

Lëvizjet më të befasishme kanë qenë pikërisht ato të Mirel Josës dhe Tomas Brdariç, për vetë situatën në kampionat dhe Kupë të ekipeve.