Vllaznia do luajë në rikthimin e aktivitetit të futbollit në vendin tonë nesër kundër Partizanit. Takim që është i vlefshëm për ndeshjen e parë gjysmëfinale të kupës së Shqipërisë. Një ndeshje që mund të përcaktojë shumë në fatet e sezonit kuqeblu, ku në kampionat tashmë objektivi për fitimin e titullit kampion është i pamundur.

Ndeshja nesër kundër të kuqve mund të cilësohet në njëfarë mënyre një “finale”. Kjo pasi edhe të besuarit e trajnerit Dritan Mehmeti duan patjetër suksesin në kupë për të mos pasur një sezon totalisht të dështuar. Vllaznia mbyll sot përgatitjet për sfidën ku disa emra të rëndësishëm si: Latifi, Jonuzi apo Da Silva duket se kanë lënë pas problemet fizike.

Por një vend në formacion pritet të ketë edhe Ardit Hoxhaj. Sulmuesi vlonjat që ka vuajtur shumë nga dëmtimet këtë sezon tashmë është në 100% të formës së tij fizike. Golat e 27-vjeçarit i kanë munguar Vllaznisë këtë sezon, pasi problemet me finalizimin kanë qenë të shumta. Por golashënuesi më i mirë i edicionit të shkuar me fanellën kuqeblu, me 13 gol në llogarinë e tij duket një “armë” më shumë për Plorin.

Ish-sulmuesi i Flamurtarit ka luajtur shumë pak këtë sezon për shkak të problemeve fizike. Megjithatë ai numëron 3 gola në kampionat e gjithashtu edhe në kupë ku ka shënuar kundër Labërisë dhe Pogradecit. Tashmë pritet që Hoxhaj ti japë një “dorë” sulmit kuqeblu në këtë fund sezoni që parashikohet shumë i vështirë.
Endri ÇINARI