Egzon Belica ka qenë lojtari i përzgjedhur për të dalë në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes kundër Vllaznisë. Qendërmbrojtësi i Partizanit u shpreh optimist për sfidën e nesërme, sigurisht duke vlerësuar në maksimum kundërshtarin.

Ai tregon se e kanë studiuar mirë ekipin e Vllaznisë dhe një fitore 1-0 është e mjaftueshme për të. Në prononcimin e zakonshëm para gazetarëve, Belica u shpreh:

“Ne si ekip dhe stafi i kemi studiuar në tërësi. Presioni s’është rritur. Kemi luajtur edhe më parë kundër Vllaznisë, edhe pse s’kemi fituar. Ndeshja ndeshjes s’i ngjan. Do të jetë histori tjetër nesër. Do të bëjmë më të mirën. S’duhet të mendojmë për ndeshjen e dytë. T’ia bëjmë më të lehtë vetes ndeshjen e dytë në Shkodër.

Kastrioti? Ndeshja kundër Kastriotit, jo për t’u harruar, ka qenë për të nxjerrë mësime. Këto dy javë na kanë shërbyer mirë. Kemi marrë një ngarkesë fizike më të madhe. Kemi pasur kohën e duhur për t’u stërvitur dhe për të studiuar kundërshtarin për ndeshjen e radhës.

Objektivi? Edhe 1-0 për ne s’do të ishte keq nesër.

Formati? Është një format tjetër Kupa. E rëndësishme është mos të pësosh, por më e rendësishme është të shënosh. Nesër duhet të marrim një fitore, pastaj kemi kohë të mendojmë dhe për ndeshjen tjetër.

Lojtari i rrezikshëm? Nuk do të etiketoja ndonjë lojtar. Dihet që Vllaznia ka armë më të fortë ka ekipin. Ka një lojë atraktive, të lë të luash futboll. Duhet të kemi kujdes Vllazninë si skuadër, jo ndonjë lojtar të veçantë.

Vllaznia ka lojtarë shumë të mirë, por edhe ne kemi forcat tona. Besoj se do të jetë një ndeshje e mirë dhe luftuar”, tha ai.  

Kujtojmë që ndeshja Partizani – Vllaznia luhet nesër në orën 17:45 në stadiumin “Elbasan Arena”.