Partizani dhe Vllaznia luajnë nesër për ndeshjen e parë gjysmëfinale në Kupën e Shqipërisë. Sfida merr jetë në 17:45 dhe zhvillohet në “Elbasan Arena”. Dueli është komentuar edhe nga sulmuesi i Vllaznisë, Liridon Latifi. I rikthyer nga dëmtimi dhe me dëshirën për të shënuar, duket se sulmuesi “shënjestron” Demat. Në fund Latifi flet edhe për të ardhmen pas këtij sezoni.

“Dëmtimi dhe forma – Kam një javë që jam stërvitur dhe jam i gatshëm për Partizanin. Dua ta shfaq nivelin edhe në fushë. Kemi punuar gjatë gjithë javës për një rezultat maksimal. Shpresoj që ta arrijmë këtë gjë.

Momenti i duhur për gol – Shpresoj që po, unë do jap maksimumin. Dua të jem vendimtar dhe të ndihmoj skuadrën.

Trofeu – Me Skënderbeun s’e kam fituar Kupën, dua ta fitoj te Vllaznia. Duhet të japim më të mirën tonë për këtë synim.

E ardhmja – Nuk kemi nisur asnjë bisedim për sezonin e ardhshëm sepse jemi në fazën më të vështirë të kampionatit dhe nuk kemi kohë të merremi me këto biseda. T’ia lëmë kohës këtë gjë.

Dëshira juaj – Nuk është në dorën time, e kanë drejtuesit në dorë”, tha Latifi.