Nëse punohet me djemtë e ri, atëherë edhe e ardhmja mund të jetë e mirë për ta. I këtij mendimi është presidenti i AAS, Arben Haveri.

Haveri ka folur për ish-lojtarët e AAS që tashmë janë pjesë e Vllaznisë, teksa shprehet se Shkodra ka shumë talente, të cilët mund të kenë një ecuri të mirë me ekipin e qytetit të tyre.

“Ne kemi punuar shumë me djemtë tonë të Akademisë AAS dhe një pjesë e mirë e tyre sot militojnë te Vllaznia. Pa llogaritur edhe të tjerë, që nuk luajnë këtu, luajnë në kampionate të tjera, në Maltë, në Francë dhe në Itali.

Besoj që është një grup shumë i mirë djemsh, të cilët nëse punohet me ta, kam bindjen që ekipi i Vllaznisë nuk do të ketë asnjë lloj problematike në të ardhmen. Gjithmonë, duhet të kenë fat ata që të punohet me ta.

Mund të përmend Çobën, mund të përmend Palokën, mund të përmend Pjeshkën, mund të përmend Muliun, por edhe të tjerë, të cilët janë tek ekipi U21, por njëkohësisht edhe ata që janë tek ekipet e U19.

Në fakt, është thënë shumë herë në studio televizive, por Shkodra ka padiskutim talente, të cilët mund të kenë një ecuri të mirë me ekipin e Vllaznisë, por për më tepër në kampionatin shqiptar, duke parë një statistikë që të gjithë besoj e keni parë, Vllaznia është ekipi që ka furnizuar më shumë me lojtarë se gjithë ekipet tjera, djem, të cilët mbajnë ekipin e tyre.

Vllaznia u mund nga Egnatia, por tek Egnatia janë shkodranë që po demonstrojnë vlera jashtëzakonisht të larta për ekipin e Egnatias, por jo vetëm tek Egnatia, pasi shkodranët janë kudo.

Nëse duam që të shikojmë vitin e ardhshëm futboll në Shkodër, padiskutim ai lidhet me rezultatet e këtij viti. Vllaznia mban vendin e katërt në klasifikim, natyrisht nuk i dedikohet shumë lojës së këtij viti, por vitit që kaloi.

Këtë e them gjithmonë, sepse unë i vendos jashtëzakonisht shumë rëndësi të ardhurave. Ana ekonomike padiskutim, është pjesa më e rëndësishme e ecurisë së një ekipi”,-tha gjatë prononcimit të tij, presidenti i AAS, Arben Haveri.
Maringlen ZHIVANI