Pasditen e së shtunës Vllaznia do të luajë ndeshjen e rradhës në Korçë ndaj Skënderbeut dhe ndonëse në pamje të parë konsiderohet thuajse e pamundur marrja e pikëve ngaqë vendasit janë në luftë për titullin kampion, krejt ndryshe mendon zëvendëstrajneri i ekipit shkodran Aleksandar Madzar. Në konferencën e sotme për shtyp, ai ka shprehur bindjen e tij të plotë se kuqeblutë nuk do dalin pa rezultat pozitiv nga ky takim. “Ndeshja me Skënderbeun padyshim që është shumë e vështirë sepse edhe kundërshtari është i motivuar për ta fituar atë ngaqë ka objektivat e veta për t’u shpallur kampion, megjithatë edhe Vllaznia nuk shkon për të toleruar por është e vendosur për të kërkuar rezultat pozitiv. Mundësitë i ka sepse ka treguar që mund të marrë pikë ndaj çdo kundërshtari. Momentin jo të mirë që kaluam pas barazimit me Korabin, skuadra e ka kaluar tashmë dhe po mendojmë vetëm për sfidën me Skënderbeun. Kemi mungesa megjithatë, ata që do të luajnë jam i sigurtë se do të japin më të mirën e mundshme. Vllaznia shkon me objektivin e qartë për ta fituar këtë ndeshje dhe kjo nuk do të thotë se duhet të jetë e kënaqur me barazimin. Jemi në garë për vendin e katërt, vend që besoj do të përcaktohet pas sfidës direkte që do të kemi me Luftëtarin javën e ardhshme”- është shprehur krahu i djathtë i Armando Cungut. Ai është duke punuar tek Vllaznia që nga janari i vitit të kaluar dhe i pyetur nëse do të vazhdojë edhe në të ardhmen, apo gjithçka varet nga qëndrimi i Cungut tek Vllaznia, Madzar është shprehur: “Sa i takon të ardhmes time tek Vllaznia, kontrata më mbaron në datë 1 qershor dhe dëshira është për të vazhduar sërish por kjo nuk është në dorën time,por të drejtuesve. Natyrisht që Cungu më ka sjellë në Shkodër dhe padyshim që do të bisedoj me të për gjithçka që i takon të ardhmes time”.

© shkodrasport.com