Ndeshja e së dielës me Laçin konsiderohet shumë e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të Vllaznisë në kampionat dhe prandaj vlerësimi për të duket maksimal në kampin shkodran. Kundër këtij kundërshtari, shkodranëve nuk u ka ecur ashtu si duhet këtë kampionat, megjithatë zëvendëstrajneri Aleksandar Madzar, në konferencën e sotme për shtyp, është shprehur se skuadra mund t’ia dalë të fitojë këtë herë. “Ndaj Luftëtarit besoj se morëm rezultatin e duhur por tashmë ajo ndeshje ka kaluar dhe jemi të përqendruar maksimalisht tek sfida e rradhës me Laçin. Kjo është një ndeshje në të cilën nuk ka rrugë tjetër për Vllazninë përveç fitores. Jemi përgatitur siç duhet për këtë takim si nga ana psikologjike ashtu edhe ajo fizike. Ata e dinë se çfarë kërkohet prej tyre”- ka thënë tekniku malazez që është krahu i djathtë i Cungut. Bilanci i kuqebluve këtë sezon me kurbinasit nuk është pozitiv megjithatë Madzar nuk ka dëshirë t’i referohet atyre prandaj shton: “Nuk dua të merrem me dy ndeshjet e kaluara ndaj Laçit sepse besoj që nesër do të jetë një histori ndryshe për Vllazninë. Jemi të vendosur për ta kaluar me sukse këtë takim dhe këtë keni për ta parë edhe nga mënyra si do të luajmë në fushën e lojës”. Duke folur në lidhje me këtë takim, zëvendëstrajneri i Vllaznisë ka edhe një kërkesë të veçantë për tifozët e kësaj skuadre dhe prandaj thotë: “Unë do kisha edhe një kërkesë për tifozët tanë. Kam pak më shumë se një vit që ndodhem në Shkodër dhe shoh se I gjithë qyteti e do futbollin, e do Vllazninë dhe prandaj do t’u bëja thirrje që nesër të jenë në stadium për të na mbështetur sepse kemi shumë nevojë për ta dhe sëbashku ta fitojmë këtë ndeshje”.

© shkodrasport.com