Vllaznia ka fituar sot në mbrëmje në Shkodër ndaj Tiranës me rezultatin 96-93, një ndeshje e vlefshme për javën e 16-të të Superligës në basketboll për meshkuj. Fituesi u vendos pas dy kohëve shtesë, në përfundim të një ndeshje fantastike dhe që u zhvillua në një pallat sporti të tejmbushur me spektaktorë. Ata shijuan një ndeshje me rivalitet dhe nivel të lartë, mes dy ekipeve më të mira në kampionat, të cilat konfirmuan se do të diskutojnë këtë sezon titullin kampion. Tirana edhe pse ishte në avantazh në shumicën e kohës, nuk e fitoi ndeshjen, pasi Vllaznia rikuperoi dhe e meritoi fitoren. Gjithsesi, bardheblutë janë të pashqetësuar në krye të renditjes dhe vështirë se mund të humbasin kreun në sezonin e rregullt.
Ndeshja nis më mirë për Tiranën, që ka komandën e lojës, duke qenë vazhdimisht në epërsi. Bardheblutë udhëheqin 21-13 në përfundim të periodës së parë, duke qenë superior në parket, por Vllaznia nuk heq dorë. Vendasit nisin të rikuperojnë gradualisht nga perioda në periodën, duke e ngushtuar diferencën dhe besuar te fitorja. Dhe në fundin e kohës së rregullt, shifrat barazohen 74-74, duke çuar gjithçka në shtesë. Në minutat shtesë sërish ka ekuilibër dhe 5 minutat e para nuk zgjidhin asgjë, duke mbajtuar shifrat në barazim 84-84, duke shtyrë sfidën edhe 5 minuta të tjera. Këtë herë Vllaznia nuk gabon, është më e saktë në gjuajtje, shkëputet dhe fiton me rezultatin 96-93 dhe më pas nis festa. Protagonisti kryesor i shkodranëve ka qenë amerikani Freelove që ka qenë njëkohësisht edhe pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes me 30 pikë. Takimi i sotëm tregoi se kuqeblutë mund të rivalizojnë denjësisht për titullin kampion deri në fund dhe ky titull i katërt është plotësisht i mundshëm për ta.

© shkodrasport.com