Trajneri Shpëtim Duro duket optimist për startin e aventurës europiane me Iskrën në turin e parë të Ligës së Konferencës. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes së parë me malazezët, që e luajnë sot ora 20:00 në “Elbasan Arena”, Duro pohoi se kurbinasit janë gati dhe nuk “qahen” për boshllëkun në mesfushë, pasi është fakt i kryer. Ky repart mbetet prioritet i Laçit për t’u përforcuar me lojtarë cilësorë në vijim.

Trajneri ka besim te grupi që ka në dispozicion, ku përmend Ujkën dhe Spahiun në mesfushë, si dhe katërshen sulmuese, Mazrekaj-Adeleke-GuindoZarubica. Kundërshtari ua ka vështirësuar punën për t’i deshifruar, pasi ka pasur shumë ndryshime nga sezoni i fundit. Por kurbinasit i kanë njohuritë e duhura për të kaluar me sukses dy përballjet me Iskrën, ku hapin e parë kërkojnë ta hedhin që sot.

Trajneri Duro sqaron edhe situatën e Babatundes dhe kërkon nga lojtarët që sot të shpalosin më të mirën e tyre në shërbim të Laçit dhe të përsërisin historinë që realizuan vjet në Europë nën drejtimin e teknikut kryeqytetas.

Si e pret Laçi ndeshjen me Iskrën dhe a ka diçka që ju shqetëson për këtë 90-minutëshin e parë?

Jemi gati për këtë takim të parë me Iskrën, duke pasur parasysh punën që kemi bërë deri tani gjatë fazës përgatitore. Në prag të sfidës nuk kam asnjë lloj shqetësimi, ndonëse janë ato pikëpyetjet që ka çdo trajner përpara një ndeshjeje.

Sa të vështirë e keni të bëni formacionin për këtë takim, duke ditur se keni pasur largime dhe dëmtime në mesfushë?

Për këtë ballafaqim të parë europian kemi kryer një fazë përgatitore e kryer disa ndeshje miqësore dhe e kam krijuar një ide për formacionin. Tani nuk mund të qajmë më largimet, pasi janë fakte të kryera. E rëndësishme është që të gjithë ata lojtarë që do të luajnë të rrisin personalitetin dhe formën e tyre në ndihmë të skuadrës. Ekipi është 70-80% i sezonit të kaluar. Luajnë lojtarë me mjaft potencial në mesin e fushës, siç janë Ujka dhe Spahiu, por të shikojmë se si do të ingranohen në atë sektor që patjetër në vitet e fundit ka qenë reparti më i rëndësishëm i Laçit. Gjithsesi, unë kam besim te këta futbollistë. Patjetër që kemi mangësi në mesin e fushës, por bashkë me drejtuesit jemi duke u përpjekur të gjejmë ndonjë lojtar cilësor për vazhdimësinë e këtij reparti. Kjo nevojë na shtohet pas dëmtimit të Qatos, i cili luante në një pozicion që na duhej shumë.

Luani në shtëpi, sa e rëndësishme është kjo sfidë për kualifikimin?

Ka rënë disi ai fakti i të luajturit brenda apo jashtë. Për mua të dyja ndeshjet janë të rëndësishme. Skuadra jonë, edhe në sezonin e shkuar, ka luajtur shumë mirë në ndeshjet në transfertë. Shpresojmë që të arrijmë rezultat pozitiv në takimin e parë që e luajmë në Elbasan.

A e njihni kundërshtarin, dhe si ia del Laçi ndaj Iskrës?

Patjetër që e kemi përgatitur në këto ditët e fundit, pasi dihet që kundërshtari ka pasur shumë ndryshime në përbërje nga sezoni i kaluar. Jemi fokusuar duke parë ndeshjet e periudhës së fundit që ka zhvilluar Iskra gjatë fazës përgatitore. Kanë pasur shumë largime dhe afrime, madje edhe sot (dje) jemi mundur ta përgatisim takimin duke e parë kundërshtarin me detaje.

Sulmin e keni “top”, Babatunde mund ta nisë si titullar?

Pjesa e mbrojtjes dhe e sulmit është shumë e kompletuar, madje mund të them e mbingarkuar. Sa i përket Babatundes, ai ka ardhur në periudhën e fundit dhe e kam thënë edhe më parë se nuk është në 100% të formës së tij. Është një lojtar që besoj se do ta ndihmojë shumë Laçin në sezonin e ri, por për momentin nuk është gati dhe në formën optimale. Gjithsesi, kam lojtarë të tjerë si Mazrekaj, që për mua është futbollisti më i mirë i krahut në Shqipëri. Kemi Guindon, Adeleken dhe Zarubicën. Këta lojtarë kanë qenë pjesë shumë e rëndësishme e Laçit dhe besojmë shumë tek ata edhe kësaj radhe./PANORAMA-SPORT/