Çdo ëndërr e Mançester Sitit për të fituar titullin kampion për herë të tretë radhazi duket se ka marrë fund sot, pasi skuadra e Pep Guardiolës është mundur në shtëpi me shifrat 2-1 nga Mançester Junajtid.

Një duel i cili si rrallëherë vitet e fundit ka parë Junajtid dominues, sidomos në pjesën e parë dhe që mund të kishte përfunduar me diferencë më të thellë nëse skuadra e Solskjaer do të kishte qenë më e qetë para portës.

Junajtid u tregua vdekjeprurës në sulm duke diktuar ritmin e tij që në minutat e parë të ndeshjes e kaloi në avantazh me anë të penalltisë së Rashford. Ndërkohë, pak minuta më vonë ishte Marsial ai që dyfishoi shifrat, duke bërë të qartë se Siti do të vuante në këtë derbi.

Ekipi i Guardiolës reagoi me forcë në fund të pjesës së parë, por gaboi para portës, ndërsa kishte edhe episode të diskutueshëm si prekja e topit me dorë nga Fred që nuk u pa nga VAR. Në pjesën e dytë, vendasit kërkuan edhe më me ngulm golin, por duke lënë rrezikshëm hapësira mbrapa, ndërsa ishin me fat që Rashford e Marsial nuk shtuan diferencën.

Në fund, goli i Otamendi hapi takimin, por “djajtë e kuq” u treguan shumë të sigurt në prapavijë dhe mbrojtën me forcë këtë rezultat, për të siguruar tri pikë të arta që i çojnë vetëm 5 të tilla larg Çelsit të vendit të katërt në luftën për Ligën e Kampioneve. Ndërsa Siti mbetet 14 pikë larg Liverpulit kryesues, një distancë që duke parë formën e të kuqve, duket realisht e parikuperueshme. /vipsport/