Manchester United shqelmon krizën, pasi ia del të marrë fitoren e parë sezonale dhe e bën këtë përballë rivalëve më të urryer, Liverpoolit. “Djajtë e kuq” ia dolën të triumfojnë me shifrat 2-1 në “Old Trafford”, duke merituar në fund duartrokitjet e një publiku që i mbështeti për 90 minuta.

Gjithçka nisi mes tensionit të fansave të Manchester United, që protestuan ndaj familjes Glazer për gjendjen e vështirë të klubit, ndërsa trajneri Ten Haag guxoi të lërë në stol Cristiano Ronaldon dhe kapitenin Harry Maguire.

Sfida nisi mirë për Liverpool, por “djajtë e kuq” zbrisnin shpejt në kundërsulm dhe në një të tillë goditën shtyllën me Elangën, i cili ishte i pafat përballë Alisson. Në minutën e 16’, braziliani nuk mundi të bëjë asgjë përballë gjuajtjes së Sanchos, që konkretizoi në mënyrën më të mirë një aksion të gjatë e të bukur të Manchester United.

Liverpool provoi reagimin, por Diaz gjuajti jashtë, ndërsa Manchester United kundërpërgjigjej me kundërsulme të shpejta, që vinin jo pak në vështirësi mbrojtjen e skuadrës së Klopp.

Golin e dytë për Manchester United e shënoi Rashford, që mori një asist perfekt në limitet e pozicionit jashtë loje nga Martial dhe mposhti Alisson me një gjuajtje perfekte.

Liverpool provoi të rihapë takimin, por gjeti në një De Gea fantastik dhe e dërgoi topin në rrjetë vetëm në minutën e 81-të me anë të Salah, megjithatë ky gol nuk shërbeu për të shmangur humbjen.

Manchester United merr kështu tre pikët e para për këtë sezon, pas dy humbjeve radhazi, ndërsa kriza kalon te “the reds”, që pas dy barazimeve, marrin edhe këtë humbje, ndaj për suksesin e parë, do të duhet të presin ende.