Partizani fitoi 2-1 me Egnatian për javën e parë të sezonit. Sfida e “Elbasan Arena” u vendos nga goli i Skukës në limitet e ndeshjes, me trajnerin Colella që debutoi me fitore te Demat duke thyer edhe mallkimin 5 vjeçar të ndeshjeve hapëse të sezonit.
Italiani i stolit zgjodhi të hidhte në fushë nga minuta e parë portierin Rexhepi, me ish-in e Skënderbeut që bëri debutimin e tij me fanellën e kuqe. Për shkak të mbingarkesës në këtë repart, Aldo Teqja u detyrua ta ndjekë ndeshjen nga tribunat e stadiumit.
27 vjeçari ishte protagonist me Demat në Conference League, aty ku ndali dy penallti të Saburtalo, megjithëse në fund ruleta e 11 metërshave i buzëqeshi gjeorgjianëve.
Me largimin e Mehmetit nga stoli, duket se kanë ndryshuar gjërat edhe sa i takon portës, teksa Alban Hoxha duket se do jetë zëvendësues.