Goli ka qenë gjithnjë i pranishëm në jetën e tij, pavarësisht nëse këtë e bënte me një top futbolli, apo një top tjetër plastik të goditur me një bastun. Pa harruar këtu që gjysmën e mbiemrit e përbën fjala rrjetë (në italisht “rete”).

Po flasim për Mateo Reteguin, lojtari më i fundit i grumbulluar nga trajneri i Italisë, Roberto Mançini, por që karrierën e tij e ka nisur si një lojtar i hokejit në bar.

Madje ai ka qenë dhe kryegolashënuesi i kampionatit argjentinas në vitin 2022 me 19 gola me klubin e tij Tigres (i huazuar nga Boka Xhuniors). Sulmuesi i talentuar ka një pasaportë të dyfishtë italiane e argjentinase dhe ka mjaftuar pasaporta italiane për të siguruar një vend në kombëtaren e drejtuar nga Roberto Mançini.

KUSH ËSHTË RETEGUI? – I rritur në San Fernando, një qytet i vogël në veri të Buenos Airesit (Argjentinë), Mateo filloi të luante hokej në bar. Një fat i vulosur, duke qenë se e gjithë familja e tij, babai Karlos Hoze, nëna Maria Grandoli dhe tezja Mikaela ishin pjesë e hokejit në bar, duke fituar dhe medalje të arta olimpike.

KALIMI TE FUTBOLLI – Në verën e vitit 2016, teksa luante me miqtë në plazhet e Pinamar, ai pa Diego Mazilin, një skaut i Boka Xhuniors, i cili i propozoi të bashkohej me ekipin e të rinjve të klubit legjendar. Në më pak se një vit, Gujermo Skeloto e thirri për t’u stërvitur në ekipin e parë dhe më 14 nëntor 2018 ai debutonte në Primera në vend të Tevez. Retegui përfundimisht kishte zgjedhur të ndiqte pasionin e tij për futbollin.

INTERESI I TOTIT – Historia e tij te Boca nuk shkoi sipas pritshmërive, ndaj vendosi të kalojë tek Estudiantesi. 5 gola në 29 ndeshje atje, njëri prej të cilëve vendimtar në “El Clasico”-n argjentinase kundër Gimnasia të drejtuar nga Maradona. Në atë kohë për të u interesua edhe Françesko Toti, i cili e bindi që t’u bashkohej lojtarëve të menaxhuar prej tij.

Në vitin 2022 për të erdhi huazimi i tretë, te Tigres. Me 27 gola në 47 ndeshje ndihmoi skuadrën të kualifikohej në Kupën Jugamerikane 2023. Me pasaportën italiane në xhep, ai e ka nisur mirë sezonin edhe tani me 4 gola në 4 takimet e para. Nëse vazhdon kështu me shumë gjasa do të udhëtojë drejt Europës.