Roberto Mancini raportohet se është i pakënaqur me jetën në Zenit St Petersburg dhe mund të kthehet në Itali si trajner i Milanit. Sipas burimeve të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”, Mancini është kontaktuar nga drejtuesit e “Rossonerëve”, Marco Fassone dhe Massimiliano Mirabelli, të cilët e preferojnë së tepërmi si trajner, shkruan “Football-Italia”. Mancini e mori drejtimin e Zenitit në korrik dhe ka kontratë me të deri më 2020, me një pagë vjetore prej 8 milionë euro.

Deri tani, 53-vjeçari ka regjistruar 17 fitore, tetë barazime dhe gjashtë humbje në 31 ndeshje me Zenitin.

Thuhet se Mancinit i mungon futbolli italian dhe është i intriguar nga mundësia për ta drejtuar gjigantin tjetër të Milanos, pasi në të kaluarën e ka udhëhequr Interin drejt tre titujve radhazi në Serie A.

Në krahun tjetër Gattuso ende nuk po kalon krizën e rezultateve që ka “pushtuar” Milanin, ndërsa sot është dueli i së vërtetës kundër Interit të vlefshme për Kupën e Italisë.