Marash Kumbulla e bëri debutimin e tij zyrtar si lojtar i Romës, pas transferimit prej gati 31 milionë eurosh në kryeqytet, verën e kaluar, pikërisht kundër Juventusit, duke bërë një paraqitje fantastike, në të cilën kishte si detyrë që të ndalte Alvaro Moratën.

Dhe talenti shqiptar e bëri më së miri detyrën e tij, madje e “anuloi” nga fusha spanjollin në ndeshjen e fazës së parë, ndonëse shokët e tjerë të repartit nuk arritën që të shmangnin Ronaldon së shënuari dy gola (të parin me penallti).

Gjithsesi, sot pasdite do të jetë një tjetër histori dhe sërish 20-vjeçari Kumbulla do ta nisë nga minuta e parë me Juventusin, ndonëse sfida do të luhet në “Allianz Stadium”.

Verdhekuqtë kanë humbur në prapavijë anglezin Smolling dhe duke parë figurat e turpshme të Ibanjezit në ndeshjet e fundit, shpresat për të koordinuar prapavijën trajneri Fonseka i ka te “diamanti” kuqezi, për të frenuar sulmet e bardhezinjve.

Prandaj, për Marashin, përveçse planifikohet dueli i radhës me Moratën, pse jo, shqiptari do të kërkojë që t’i prishë edhe Kristiano Ronaldos festën e tij të ditëlindjes, duke parë se portugezi i Juves kërkon një gol, që në kampionat i mungon prej 3 takimesh radhazi. Por sesi do të shkojë, do ta mësojmë sot…

Flet Fonseka – Në konferencën për shtyp para sfidës, trajneri verdhekuq konfirmon rikthimin në skuadër të bomberit Edin Xheko, ndonëse boshnjaku pritet ta nisë nga stoli. “Me Xhekon jemi sqaruar dhe ai është grumbulluar për Juven.

Gjithsesi, në një sfidë si kjo diferencën e bën shpirti i grupit dhe duke u bazuar në këtë aspekt, shiritin e kapitenit që mbante Xheko, ndaj Juves do t’i takojë Kristantes. Do të jetë një ndeshje e bukur, por në futboll nuk ka skuadra të frikshme e të pathyeshme, ndaj duam fitoren”, tha Fonseka.