Humbja e djeshme e Vllaznisë në shtëpi 2-1 kundër Laçit ka trazuar situatën në kampin shkodran. Edhe pse u mposhtën nga kurbinasit me meritë, shije të hidhur ka lënë loja në fushën e blertë.

Prapavija kuqeblu dukshëm nuk ka qenë në nivelin e sfidave të tjera duke gabuar në dy rastet e golave. Pikërisht në repartin që shkodranët kishin krijuar siguri, kanë nisur oshilacionet e para.

Goli i dytë i Harmon tregoi se lodhja në këmbët e futbollistëve të Vllaznisë ka nisur të ndihet. Ndeshjet e ngjeshura dhe ritmi fantastik thuajse në çdo takim tashmë po sjell pasojat e veta.

Erdenis Gurishta ka qenë një nga futbollistët e shkodranëve që thuajse meriton çdo javë një vend në formacionin më të mirë. Por, vendosja e gabuar e qendrës dhe shpejtësia e sulmuesit të Laçit zhvlerësuan krejtësisht cilësitë e shkodranit të linjës.

Pas kësaj humbjes, trajnerit Thomas Brdariç i duhet të punojë dyfish me skuadrën. Dukshëm që gjendja psikologjike e tyre s’është e mirë. Megjithatë vlen të theksohet fakti se kroati asnjëherë nuk e ka përmendur fjalën titull.

Me një ekip ku 11 titullarët janë absolutisht në nivelin e duhur për Superioren, por me një stol që ndoshta duhej të ishte më i kompletuar, ai e di mirë se kampionati është i gjatë dhe drejt finishit ka ende shumë rrugë për të bërë./newsport/